Vendosni fjalën kyçe....

U kapet kanabis, kallashnikov, armë gjahu e fishekë, pragma dy vëllezërve në Mirditë


Policia e Mirditës ka arrestuar 2 vëllezër, pasi gjatë kontrolleve në banesën e magazine e tyre u gjetën kanabis, armë dhe radiomarrëse si të policisë.

Në pranga kanë rënë 40-vjeçari I.D. e 45-vjeçari P.D. banues në fshatin Kullaxhi. Gjatë kontrolleve atyre u janë kapur rreth 25 kg kanabis, një kallashnikov, 4 armë gjahu, 2 radiomarrëse si të policisë, një shkop gome një shkop bejsbolli, rreth 1300 fishekë automatiku e 17 fishekë çifteje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan operacionin policor të koduar “Double Strike”, ku në pranga kanë rënë vëllezërit me incialet I. D., 40-vjeç dhe P. D., 45-vjeç, banues në fshatin Kullaxhi.

Sipas policisë, nga kontrolli në magazinë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre thasë me kanabis në formë boçeje, gjithsej 24.5 kilogramë, ndërsa nga kontrolli në banesë u gjetën dy armë zjarri ( kallashnikov e pushkë), 4 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 1 shkop gome, 1 shkop bejzbolli, 1297 fishekë luftarak dhe 17 fishekë çifteje.

 ‘Armët e zjarrit do dërgohen për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore për të parë nëse janë përdorur më parë për kryerje të veprave penale kundër personit’, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  “Fshehja e të ardhurave”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, kryer në bashkëpunim.” – thuhet në njoftim.