Vendosni fjalën kyçe....

Pas kritikave të Trump, shefi i NATO-s thotë se Evropa do paguajë për armët amerikane në Ukrainë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte të enjten u kërkoi Shteteve të Bashkuara të vijojnë të furnizojnë Ukrainën me armë për të luftuar pushtimin rus dhe tha se ishte i sigurt se Evropa ishte gati të paguante faturën.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, shefi i NATO-s tha se Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje, të rrisë prodhimin e armëve dhe të marrë një pjesë më të madhe të shpenzimeve për ndihmën për Ukrainën.

Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump tha në fillim të kësaj jave se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën.

“Për Ukrainën, ne kemi nevojë që edhe SHBA-ja të qëndrojë e përfshirë”, tha Rutte.

“Nëse kjo administratë e re Trump është e gatshme të vazhdojë të furnizojë Ukrainën nga baza e saj industriale e mbrojtjes, fatura do paguhet nga evropianët, unë jam absolutisht i bindur për këtë, ne duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë këtë,” shtoi ai.

Ai tha se Trump kishte të drejtë kur tha se Evropa duhet të paguajë më shumë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën pasi “është një konflikt mbarëbotëror, megjithatë Ukraina është më afër Evropës sesa SHBA-së”.

I dërguari i Trump për misionet speciale, Richard Grenell, bëri një “goditje” ndaj Rutte-s duke thënë se deri tani barrën më të madhe e ka paguar SHBA-ja dhe se kjo gjë duhett të ndryshojë.

“Populli amerikan është ai që po paguan për mbrojtjen. Ju nuk mund t’i kërkoni popullit amerikan të zgjerojë ombrellën e NATO-s kur anëtarët evropianë nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë dhe kjo përfshin holandezët, që duhet të rrisin  buxhetin.”tha Grenell.