
Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke akuzuar agjencinë globale të shëndetësisë për menaxhim të dobët të pandemisë COVID-19 dhe të krizave të tjera ndërkombëtare shëndetësore.
Trump deklaroi se OBSH nuk ka vepruar në mënyrë të pavarur nga “ndikimet politike të papërshtatshme të shteteve anëtare” dhe se pagesat e kërkuara nga SHBA ishin të padrejta në krahasim me kontributet e vendeve të tjera, përfshirë Kinën.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë na shfrytëzoi. Të gjithë na shfrytëzojnë. Kjo nuk do të ndodhë më,” tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit të urdhrit, pak pas inaugurimit të mandatit të tij të dytë.
OBSH ka shprehur keqardhje për këtë vendim, duke e konsideruar atë një goditje të rëndë për programet e saj të emergjencave shëndetësore, përcjell Reuters.
“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të rishikojnë këtë vendim dhe që të ketë një dialog konstruktiv për të mirën e të gjithëve – të amerikanëve dhe të njerëzve në mbarë botën,” deklaroi zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasarević, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Si donatori kryesor i OBSH-së, dalja e SHBA-së pritet të ketë pasoja të rëndësishme financiare dhe operacionale për agjencinë.
Programet kryesore të emergjencave shëndetësore, që varen nga financimi amerikan, mund të jenë në rrezik, duke përfshirë reagimet ndaj sëmundjeve infektive dhe përpjekjet për përmirësimin e sistemeve shëndetësore globale.
Gjermania dhe shtete të tjera partnere kanë kërkuar nga SHBA që të rishikojë vendimin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit global në trajtimin e krizave shëndetësore.
Vendimi i Trump për tërheqjen nga OBSH vjen si pjesë e një serie masash që synojnë rishikimin e angazhimeve ndërkombëtare të SHBA dhe përqendrimin në politikat e brendshme.