
Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht jashtë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, kanë protestuar sërish për vrasjen e të birit. Ata kërkojnë drejtësi dhe akuzojnë institucionet për mungesë përgjigje në lidhje me hetimet për ngjarjen e rëndë.
Babai i Martin Canit shprehu dhimbjen dhe shqetësimin e tij, duke thënë se familja ka kaluar dy muaj pa mundur të gjejë paqe, pasi po përjetojnë një traumë të madhe.
Nga ana tjetër, nëna e tij kërkoi vetëm drejtësi për fëmijën e saj dhe shprehu zhgënjimin që asnjë institucion nuk e ka kontaktuar.
Babai i Martin Canit: Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe e nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetoj një ngjarje tragjike, kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, iu bëj thirrjeve institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret.
Nëna e Martinit: Kërkoj vetëm drejtësi. Askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet e mia i kam bërë publike dhe dua vetëm drejtësi.