
Autoritetet e Guatemalës shpëtuan të premten 160 fëmijë dhe adoleshentë nga sekti fundamentalist hebre “Lev Tahor” në Guatemalën juglindore pas akuzave për abuzim të fëmijëve, përfshirë përdhunimin, thanë prokurorët.
Operacioni i shpëtimit në komunën Oratorio, 78 kilometra në juglindje të kryeqytetit të Guatemalës, nxjerr në pah shqetësimet e vijueshme mbi praktikat e diskutueshme të sektit “Lev Tahor”, që është përballur me akuza të ngjashme në të kaluarën.
“Në bazë të deklaratave të ankuesve, provave të marra dhe ekzaminimeve mjekësore, u konstatua se ka forma të trafikimit të qenieve njerëzore kundër këtyre të miturve, si martesa e detyruar, abuzimi dhe krimet e lidhura me to,” tha Nancy Paiz, prokurore në Prokurorinë e Guatemalës Kundër Trafikimit të Njerëzve.
Komuniteti “Lev Tahor”, i themeluar në vitin 1988 në Izrael, praktikon një formë të ashpër të judaizmit me interpretime të ligjit hebre që përfshin seanca të gjata lutjesh dhe martesa të rregulluara, shkruan Reuters.
Lev Tahor (“Zemra e pastër” në hebraisht) është përballur me akuza të shumta për rrëmbim, martesë të fëmijëve dhe abuzim fizik që kur u themelua në vitet 1980.

Komuniteti u vendos në Meksikë dhe Guatemalë midis 2014 dhe 2017. Në vitin 2022, një operacion i policisë meksikane në shtetin jugor meksikan të Chiapas në kufirin e Guatemalës shpëtoi një grup fëmijësh dhe adoleshentësh nga një kamp “Lev Tahor”, anëtarët e të cilit u arrestuan me dyshimin e pjesëmarrjes në abuzime ndaj të miturve.
Komuniteti Hebre i Guatemalës në një deklaratë tha se sekti ishte i huaj për organizatën e tij dhe shprehu mbështetjen e tij për autoritetet e Guatemalës në kryerjen e hetimeve të nevojshme “për të mbrojtur jetën dhe integritetin e të miturve dhe grupeve të tjera të cenueshme që mund të jenë në rrezik”.
Ai i bëri thirrje “qeverisë dhe trupit diplomatik të vendeve nga kombësitë e të cilave përbëjnë anëtarët e “Lev Tahor”, që të bashkojnë forcat për të mbrojtur të drejtat e të cilëve mund të shkelen”.