Vendosni fjalën kyçe....

U arrestuan për trafik armësh, Gjykata e Tiranës lë në burg 4 shtetasit nga Kosova


Gjykata e Tiranës lë në burg 4 shtetasit kosovar të arrestuar për trafik armësh. Togat e zeza vendosën masën shtrënguese për Blerim Krasniqi, Benjamin Shala, Edonis Thaçi dhe Muhamed Krasniqi.

Gjatë operacionit për goditjen e këtij aktiviteti u sekuestrua. 10 armë zjarri, teksa personat e përfshirë u kapën në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër.

Shtetasi Blerim Krasniqi dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin Edonis Thaçi një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.

Më pas, shtetasi Krasniqi në bashkëpunim me shtetasin Muhamed Krasniqin kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi Edonis Thaçi së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste”, do të njoftonte policia.

Katër shqiptarët e Kosovës, u arrestuan të premten e 24 majit nga Trafiqet e Tiranës. Ata i merrnin armët nga Serbia dhe i shisnin brenda territorit tonë.

Dyshohet se bashkëpunonin me persona serb, ndërsa armët prodhoheshin në Çeki. Katër kosovarëve iu gjetën komunikime me persona të tjerë blerës të armëve të tyre.