Vendosni fjalën kyçe....

Qori: Lëvizja Bashkë me program socialdemokrat, për zgjedhjet 2025 nuk ka aleancë me grupime të tjera


Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori në një intervistë në ‘Studio Live’ në Report Tv foli për aksionin politik të lëvizjes që drejton, e cila po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025.

Qori gjithashtu u ndal edhe tek siguria e punëtorëve dhe pagat e tyre, teksa sot ndodhën dy tragjedi njëra në minierën e kromit në Martanesh dhe tjetra në guroren e Selenicës ku humbën jetën dy punëtorë.

‘Në Shqipëri për numër të punësuarish vdesin më shumë se në vendet e BE-së. Tek minierat është një katastrofë. Jeta e njeriut për ata që duhet të investojnë, nuk vlen. Shpesh herë vdesin punëtor dhe nuk merret vesh. Sepse ai gangsteri mund tja mbyll gojën familjarëve. Ata që marrin licensa nuk duan t’ja dinë fare për sigurinë në punë. Për ta jeta e punëtorit është më pak e vlefshme se jeta e qenit që kanë në shtëpi. Sot dy punëtorë vdesin për shkak të kushteve në punë. Përgjegjësia shkon edhe më lart tek kryeministri.

I vetmi kryeministër në botë që krenohet se nuk ka sindikata. I vetmi që u thotë sipërmarrësve mos punësoni punëtorë shqiptar se janë llafazan. Sot Shqipëria vuan nga mungesa e forcës punëtore. Shumë punëtorë akoma punojnë në të zezë. Tragjedi shumë dimensional. Lëvizja Bashkë e vetmja që flet për punën për punëtorët. Sindikata për punëtorët është jetë. Është fitimi i të drejtave që kanë punëtorët në perëndim. Puna duhet të ishte motori i një jete të lumtur’, tha Qori.

Qori theksoi se deri më tani nuk ka bërë asnjë bisedim për ndonjë aleancë të mundshme të Lëvizjes Bashkë me Nismën Thurje të Endri Shabani apo ‘Shqipëria Bëhet’ e drejtuar nga Adriatik Lapaj.

‘Nuk e di që Lëvizja Bashkë të jetë në negociata me ndonjë parti. Nuk e di kush negocion me Lëvizjen Bashkë. Nuk e di si dalin këto informacione. Unë jamë kryetari i Lëvizjes Bashkë, as kam takuar as kam marrë mesazh nga ndonjë kryetar i ndonjë partie.

Nuk e përjashtoj, ne bashkëveprimin e kemi vetëm parimor, jo kalkulativ. E vetmkja që ka rëndësi janë parimet. A do shkojmë tek qytetarët shqiptarë faqebardhë me të drejtën, apo do shkojmë me këto lojërat e vjetra politike. Lëvizja Bashkë po përgatitet, opsioni A hyjmë në zgjedhjet e ardhshme dhe kërkojmë votat për programin e Lëvizjes Bashkë.’-deklaroi ai.

Sa i përket protestave të vakëta para bashkisë Tiranë, Qori thotë se ka të bëjë me besueshmërinë që njerëzit kanë tek personat që organizojnë këto protesta

‘Pjesëmarrja e ulët ka disa shpjegime. E para ka të bëjë me besueshmërinë e atyre që të thërrasin në protestë. Por ka edhe probleme përtej besueshmërisë. Kur ne organizojmë protesta asnjë media nuk jep njoftim se ne do bëjmë protestë. Shumica e qytetarëve thonë se sado të bëjmë protesta nuk ka rëndësi. Ne për këtë i themi, nuk janë SHBA, as ambasada as SPAK. E keni në dorë ju.

Jemi përditë në rrugët e Tiranës, për ti dhënë kurajo qytetarëve. Politika shihet vetëm në terma të votës. Nuk mjafton vetëm vota. Vota nuk mjafton, po nuk erdhe me mua në protestë, por nuk erdhe me mua në aktivizëm. Ata që janë përballë janë shumë herë më të pasur, shumë herë më të kërcënueshëm. Alternativa jonë do të jetë ajo e pjesëmarrjes.’-tha Qori.

Programi i Lëvizjes Bashkë është social demokrat dhe ideali i Qorit janë vendet Skandinave.

‘Programi ynë është i mirëfilltë i social demokracisë europiani. Programi ynë edhe fushë pamja jonë është në kuadrin social demokracisë. Frymëzohem prej vendeve social demokrate të Europës veriore. Nëse dikush se në Suedi, Danimarkë mbizotëron komunizmi. Ne do bazohemi tek pagat dhe pensionet. Ne vijmë me dy propozime, me një pagë minimale 600 mijë lekë të vjetra dhe pension mesatar 320 mijë lekë të vjetra.

Janë një hap i rëndësishëm përpara. Është sinjal edhe për biznesin, ose rrisni pagat ose do iu ikin punonjësit. Mendoj se një shtet zhvillimor mundet ti përkrahë bizneset e vogla për të mbërritur tek kjo pagë minimale. Rritja e pagave është edhe një faktor kyç i mëkëmbjes ekonomike. Kur ti rrit pagat dhe pensionet ke rritur dhe ekonominë e brendshme. Kur paraja mbetet me tepri në duart e njerëzve të pasur rrezikon që kjo para të mos futet në treg”-tha Qori.