Vendosni fjalën kyçe....

Ora tejet e rrallë mund të vendosë rekord në ankand


Shtëpia e ankandeve Christie’s në Nju Jork do ofrojë orën e saj më të shtrenjtë ndonjëherë – një “Richard Mille”, e prodhuar në sasi të kufizuar – së bashku me orë të rralla, të tilla si ato që dikur i përkisnin një ish-presidenti amerikan dhe një astronauti të misionit Apollo 7.

Ora e dorës e tejdukshme “Richard Mille”, me një model të ndërlikuar këllëfi prej safiri dhe mekanizëm turbillon të skeletuar me kristal safiri, pritet të shitet deri në 4 milionë dollarë në ankand në Christie’s Rockefeller Center më 10 qershor.

Ajo është 1 nga vetëm 10 orët e prodhuara dhe do dalë në ankand si pjesë e shitjes së “Ora të rëndësishme” që ofron orë dore me cilësi të lartë “duke përmbledhur trashëgiminë e pasur të historisë së prodhimit të orës”, tha Christie’s në një njoftim për shtyp.

“Ne jemi veçanërisht entuziastë për të ofruar këtë model të kufizuar Richard Mille RM56-02 AO Tourbillon Sapphire, një arritje e jashtëzakonshme si në materialet pioniere ashtu edhe në mikro-inxhinierinë,” tha në njoftim Rebecca Ross, drejtuese e shitjeve në Christie’s në Nju Jork.

Një tjetër orë “Richard Mille” me edicion të kufizuar, me një kafkë diamanti, do jetë e para e këtij lloji që do dalë në ankand dhe pritet të arrijë deri në 1 milion dollarë, sipas Christie’s.

Gjithashtu në ofertë është një orë dore e rrallë çeliku inox “Rolex Daytona” me akrepë “Paul Newman” dhe zinxhir që thuhet se është mbajtur nga astronauti i ndjerë i NASA-s Walter Cunningham në hapësirë, sipas shtëpisë së ankandit. Ajo pritet të shitet deri në 450,000 dollarë.

Cunningham, i cili vdiq vitin e kaluar, u zgjodh për të pilotuar Apollo 7, misioni i pare në Hënë me ekuipazh njerëzor të programit të NASA-s të nisur në vitin 1968.

Një orë automatike ari 18 karat “Patek Philippe”, e personalizuar nga Tiffany & Co për Presidentin e 36-të të SHBA-së Lyndon B. Johnson kur ai ishte Senator, pritet të shitet deri në 45,000 dollarë.

Johnson ia dhuroi atë Senatorit Robert Kerr, i cili më pas ia dha gjyshit të pronarit të tanishëm.

“Orat e ofruara në këtë shitje tejkalojnë bukurinë; ato simbolizojnë çaste të rëndësishme në histori, nga eksplorimet novatore te përparimet teknike që ripërcaktojnë mundësitë,” shtoi Ross.

“Koleksionistët kanë mundësinë të blejnë jo vetëm ora, por edhe pjesë të inovacionit horologjik që mbeten burime frymëzimi edhe sot.”

Orët e përzgjedhura do ekspozohen në Hong Kong nga 24 deri më 26 maj përpara se të kthehen në Nju Jork, ku të gjithë sendet e ankandit do shfaqen nga 6 deri më 10 qershor.