Vendosni fjalën kyçe....

Atentat avokatit në Memaliaj, i shpëton breshërisë së kallashnikovit, arrestohet autori 


Avokati Andrea Zotaj, pjesë e Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër, i ka shpëtuar mrekullisht një atentati të kryer në orët e mbrëmjes se djeshme, 28 mars. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e vjetër te fshatit Qesarat në Memaliaj, teksa avokat Zotaj i shoqëruar nga nipi i tij, ishin duke shkuar në zonë me autoveturën e tyre.

Fatos Lamaj, 36 vjeç, nga fshati Ane Vjosë në Memaliaj, u kishte zënë pritë. Sipas dëshmisë të avokatit Zotaj, Lamaj i kishte zënë pritë për ta ekzekutuar, por fati ka qenë me avokatin, i cili përmes një manovre të automjetit që drejtonte arriti t’i shmangej goditjeve të plumbave të shkrehura nga ana e agresorit Lamaj.

Sipas Report Tv, avokati ka treguar si ka arritur që t’i shpëtojë plumbave. Policia deri më tani nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen, ndërsa këto janë pretendimet e avokatit.

“Kur e pashë Fatos Lamajn me armë ndeza dritat e gjata për ta verbuar. Më pas u largova në kthesë dhe bëra denoncimin në polici”, tha avokati.

Avokati Zotaj është shprehur se ngjarja ka qenë për shkak të detyrës. Autori i atentatit ishte ndaluar nga policia 2 netë para se të ndodhte ngjarja, pas një konflikti me të afërmin e tij për cështje pronash. Avokati Zotaj ka qenë pala mbrojtëse e të afërmit të autorit. Pasi ka qëndruar 1 natë në paraburgim,  Lamaj rrëmbeu kallashnikovin dhe zuri në pritë avokatin.

Pasi i ka shpëtuar atentatit, avokati Zotaj ka denoncuar në Stacionin Policor ngjarjen e me pas grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, ku ka gjetur gëzhojat e shkrehura nga kallashnikovi e me pas ka bërë të mundur arrestimin e agresorit Lamaj.