Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori i BE-së thirrje politikës për dialog për të kthyer parlamentin në normalitet


Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka bërë një thirrje të rëndësishme drejtuar politikës shqiptare.

Ai ka theksuar se të gjitha partitë politike duhet të angazhohen në dialog për të rivendosur funksionimin normal të parlamentit.

Përmes një postimi në rrjetin social, Gonzato ka theksuar se kjo është një kërkesë themelore për përparimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimi Europian për Shqipërinë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur situata politike në Shqipëri dhe sidomos klima në parlament është e tensionuar.

Ai e sheh dialogun politik thelbësor për të gjetur zgjidhje dhe për të siguruar stabilitetin dhe përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Sot kam qenë dëshmitar sesi politikanët shqiptarë nga parti të ndryshme politike u angazhuan në diskutime dhe debate lidhur me rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE-në. Me urgjencë, diskutime të ngjashme duhet të nisin në Kuvend për të rivendosur funksionimin normal të tij.

Ky është një nga kushtet bazë për anëtarësimin e vendeve në BE. Ne punojmë së bashku për të ndihmuar parlamentin të luajë rolin e tij të plotë në anëtarësimin në BE si një institucion transparent dhe efektiv në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Gonzato në X.