Vendosni fjalën kyçe....

Blerja e raketave ‘Javelin’ nga SHBA, Osmani: Moment historik për sigurinë tonë kombëtare


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me aprovimin e kërkesës së Prishtinës zyrtare për blerje të armatimit nga SHBA, aprovim ky që nevojitet të marrë edhe miratimin në Kongresin Amerikan.

Osmani ka thënë se kjo ngjarje shënon një moment historik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe është një dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një moment historik për sigurinë tonë kombëtare dhe një dëshmi e partneritetit tonë të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar kryetarja e shtetit të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se tashmë Kosova po futet në një fazë vendimtare të Kapaciteteve Kombëtare Mbrojtëse, duke zhvilluar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke thelluar edhe më tej raportin me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani ka treguar se është biseduar me Sekretarin Blinken për çështjen e shitjes së armëve qysh në vitin 2022 dhe thotë se ka besim se Kongresi do ta miratojë shitjen e armatimit për vendin më pro-amerikan në botë.

Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”, ka shkruar Presidentja Osmani.