Rusia ka rënë dakord të lirojë katër fëmijë ukrainas, nga mosha 2 deri në 17 vjeç dhe t’i lejojë ata t’i kthejnë te familjet e tyre në Ukrainë pasi Katari ndërhyri si ndërmjetës, sipas një zyrtari qeveritar të informuar për këtë çështje.
Dy nga fëmijët tani janë kthyer me të afërmit dhe dy të tjerë pritet të bashkohen me familjet e tyre në ditët në vijim, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Roli i Katarit në negociatat, të cilat zgjatën disa muaj, erdhi me kërkesë të qeverisë ukrainase.
Fëmijët ukrainas kaluan përmes Ambasadës së Katarit në Moskë dhe morën rrugë të ndryshme për në shtëpi. Disa udhëtuan ose ishin planifikuar të udhëtonin nga Rusia në Ukrainë nëpërmjet Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. Të tjerët kaluan përmes Bjellorusisë.
“Ne mirëpresim lajmin pozitiv të sotëm, në lidhje me ribashkimin e fëmijëve me familjet e tyre në Ukrainë përmes përpjekjeve të ndërmjetësimit të Katarit”, tha në një deklaratë Lolwah Al-Khater, ministrja e Shtetit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar e Katarit. Në javët e fundit, zyrtarët e Katarit kanë qenë në ‘dialog të vijueshëm me homologët tanë ukrainas dhe rusë’, tha ajo.