Vendosni fjalën kyçe....

Aksi rrugor Elbasan-Lekaj (pjesë e Korridorit VIII), shpallet fituesi për studim projektimin


Me një ofertë sa 91% e fondit limit, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se bashkimi i operatorëve “PNI-2001” & “G & K” & “GeoENG” & “ABKONS” janë fituesit e kontratës që parashikon studim projektimin e aksit rrugor Elbasan-Lekaj.

Ky aks merr një rëndësi të veçantë po të kemi parasysh që është pjesë e Korridorit VIII. Kompanitë ofruan 75 milionë lekë për këtë shërbim teksa do të kenë 22 muaj kohë për të zbatuar kontratën. Referuar dokumenteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar që është edhe kontraktuesi nënvizon se aksi i ri rrugor Elbasan – Lekaj, pjesë e Korridorit 8, do të nisë në një pikë të përshtatshme me bypass-ni e Elbasanit, i cili është në fazën e projekt-idesë.

“Rruga pritet të ketë një gjatësi të përafërt rreth 40 km me pikënisje në lidhja me bypass-in e Elbasanit dhe pikën fundore në kryqëzimin në disnivel në Bishtin e Zhur ku do të kryqëzohet me korridorin Veri – Jug (Adriatik – Jon Korridori, segmenti Lekaj – Konjakët). Fillimi i projektit do të bëhet diku pranë Kombinatit Metalurgjik ose Lanfill, ku do të përfundojë duke anashkaluar Elbasanin” thuhet në dokumente.

Të njëjtat caktojnë edhe objektivat që do të ketë studimi që do të hartohet nga kompanitë fituese të kontratës si dhe realizimi i projektit konkret ku ndër të tjera : lehtësimi i lëvizjes së trafikut në këtë pjesë të korridorit VIII; krijimi i infrastrukturës së përshtatshme për lëvizjen e automjeteve në drejtim të qytetin e Elbasanit dhe më tej në pikën doganore me Maqedoninë e Veriut; të krijohet lehtësim trafiku në zonat e banuara ku do të ndërtohet ky aks, ndërmjet që lidh rrugët dhe nyjet me këtë segment rrugor.

Projektimi dhe zgjerimi i rrugës nga Elbasani në Lekaj me dalje në Rrogozhinë krijon akses të mirëfilltë në korridorin VIII teksa lidhja do të jetë e dyfishtë edhe përmes Kashar-Lekaj.

Në studimin e këtij objekti, qeveria nënvizon se Konsulenti duhet të marrë në konsideratë jo më pak se tre variante. Në mënyrë që të parashikohet që në fazën e projektimit për të pasur cilësi të lartë të zbatimit të punimeve të ndërtimit është kërkuar që projekti duhet të jetë në përputhje me parametrat e nevojshëm teknikë të një segmenti rrugor të kategorisë A – interurban./N.Maho

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor