Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Dakordësia me BE-në do të vendosë barazi në dialogun Kosovë-Serbi, Vuçiç: Kërkojnë të bëjnë Beogradin fajtor


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.

“Të dyja palët [Kosova dhe Serbia] duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Kurti, që nga vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ka thënë vazhdimisht se ato janë të padrejta dhe se e bëjnë dialogun asimetrik.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) – propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Duke listuar pikat për të cilat është rënë dakord në Bratisllavë, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, kryeministri kosovar në mbledhjen e Qeverisë tha se ky dakordim synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjës së Ohrit, të arritur në mars të këtij viti, dhe përsëriti se ajo marrëveshje duhet të zbatohet plotësisht.

“Të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe”, tha Kurti, dhe shtoi se “zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.

Kryeministri i Kosovës, duke iu referuar organizimit të zgjedheve të reja në veri të vendit, tha se qeveria e tij e ka me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet, “por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votes”.

Por me skepticizëm dhe ironi e ka komentuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tërheqjen e kryeministri të Kosovës Albin Kurti dhe dakordësinë me BE-në. Vuçiç e sheh këtë si truk për të fajësuar Serbinë, ndërsa shton se nuk ka kuptim kërkesa nga BE për shtensionim të situatës në veri të Kosovës. Ndryshimet për veriun e Kosovës, Kurti tha se do t’i arrijë në dy javë duke reduktuar praninë me 25% të Forcave Speciale të Kosovës në 4 komunat si dhe mbështetjen e zgjedhjeve të reja për të shtensionuar situatën.

“Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, tha Vuçiç, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore në veri të vendit./REL