Rusia ka stacionuar grupin e parë të armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, tha presidenti rus, Vladimir Putin.
Putin tha gjatë një forumi se këto armë do të përdoren vetëm nëse shteti apo territori rus kërcënohen.
Qeveria amerikane tha se nuk ka indikacione se Kremlini po planifikon të përdorë armë bërthamore për të sulmuar Ukrainën.
“Ne nuk shohim indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pas deklaratës së Putinit.
Putin tha se transferimi i kokave taktike bërthamore do të përfundojë në fund të verës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve pas fjalimit në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg, Putin tha se ky vendim synon të paralajmërojë të gjithë “që mendojnë të na shkaktojnë humbje strategjike”.
Kur u pyet për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve, Putin u përgjigj: “Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Unë veçse kam thënë se përdorimi i masave ekstreme do të jetë i mundshëm vetëm kur shteti rus të jetë në rrezik”.
