Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se la lëndën plasëse në një banesë dhe më pas njoftoi policinë, arrestohet 44-vjeçari në Vorë


Një 44-vjeçar u arrestua nga policia pasi dyshohet se la një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së një 46-vjeçari, gjatë natës, dhe më pas njoftoi Policinë.

Nga hetimet e policisë dyshohet se 44-vjeçari e la lëndën plasëse në banesën e 46-vjeçarit dhe më pas njoftoi Policinë, me qëllim që pronari i banesës të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit se një shtetas mbante lëndë eksplozive në banesën e tij, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”, për kapjen dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi S. M., 44 vjeç, banues në Prezë.

Pas kallëzimit se shtetasi K. K., 46 vjeç, mbante lëndë plasëse (tritol) në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe në oborrin e kësaj banese kanë gjetur të mbështjella në një qese plastmasi dy kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol, së bashku me fitilin ndezës, dhe dy detonatorë.

Pas deklarimit të shtetasit K. K. se nuk ishte ai poseduesi i lëndës plasëse, shërbimet e Policisë kanë kryer veprime hetimore nga të cilat ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e kësaj banese, nga shtetasi S. M., me qëllim që 46-vjeçari, pronari i banesës, të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kallëpet me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorët dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedural”-njofton policia.