Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Kosova nuk pranoi draft-statutin për Asociacionin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sot kemi ardhur te muri”, tha Vuçiç, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në rend dite ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e këtij asociacioni.

Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Vuçiç tha se draft-statuti është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj.

“Në vitin 2015, unë dhe [kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa] Msutafa nënshkruam parimet [për Asociacionin] dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha parimet, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese [e Kosovës]”, tha presidenti serb.

“Ata, ose do të pranojnë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”, shtoi ai.

Vuçiç tha se, për momentin, nuk e sheh zgjidhje dhe se “rrugët e tyre u ndanë me shpresën se mund të gjejmë disa përgjigje në ditët në vijim”.