Vendosni fjalën kyçe....

Cara: Durrësi duhet të hiqet nga duart e klanit Rama-Dako-Sako


Kandidati për bashkinë e Durrësit, Igli Cara në fjalën e tij në nisje të fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 majit, ka deklaruar se ndryshimi në qytetin e tij është një emergjencë lokale e kombëtare.

Ai ka shtuar se kjo bashki duhet të hiqet nga duart e klanit Rama-Dako-Sako.

Cara renditi edhe pikat ku do fokusohet puna e tij në rast fitoreje më 14 maj.

Fjala e plotë:

I nderuar Kryetar i Partisë Demokratikë, Prof. Dr. Berisha

I nderuar Kryetar i Partisë së Lirisë, z. Meta

Të dashur demokratë dhe qytetarë

Jam sot i emocionuar që ne, të gjithë bashkë, dhe shumë e shumë të tjerë që na përkrahin e mbështesin, ja dolëm të mbajmë fort opozitarizmin në Shqipëri, dhe ja tek jemi sot, në këtë atmosferë të jashtëzakonshme duke hapur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit;

Jam sot falenderues ndaj çdo demokrati e opozitari, që në këto vite të vështira të opozitarizmit në Shqipëri, besoi në të gjithë rrugëtimin tim në politikë, besoi dhe mbështeti kandidaturën time për kryetar të bashkisë së Durrësit dhe me besimin në Zot, do ja dalim që Bashkia e Durrësit të kthehet në duart e qytetarëve;
Jam sot mirënjohës ndaj çdo qytetari të Durrësit, që beson në përmbysjen e regjimit, që beson fort në ndryshimin, dhe mbi të gjitha ka bindjen që së bashku do të fitojmë.

Të dashur miq, fort të dashur demokratë

Ndryshimi është kryefjala e këtyre zgjedhjeve lokale, ndryshim për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë; ndryshim për sipërmarrësin dhe profesionistin, mjekun dhe pedagogun, punëtorin dhe fermerin, studentin dhe gjimnazistin; ndryshim për të shpëtuar demokracinë dhe Shqipërinë.

Ndryshimi në Bashkinë e Durrësit, ështe emergjencë lokale dhe kombëtare, Bashkia duhet t’i hiqet nga duart klanit Rama- Dako- Sako e t’i kthehet qytetarëve, sepse Bashkia në duart e qytetarit është dhe lajtmotivi ynë në këtë fushatë.
Ndryshimi në Bashkinë e Durrësit dhe në të gjithë Shqipërinë duhet të ndodhë dhe që vatrat tona të mos mbeten bosh, që fëmijët tanë të shohin dhe kthejnë në oportunitet cdo mundësi që Durrësi krijon me pasurinë e vet natyrore, të trashëgimisë, kulturës, historisë dhe qytetarisë.

Ndryshimi duhet të ndodhë në Durrës, për t’i dhënë fund arrogancës së pushtetit, klientelizmit, kriminalizimit të ekonomisë, patronazhistëve dhe një grushti njerëzish të kthyer në bandë qeverisje, që po shet sot dhe interesat më të mëdha të qytetit.

Ndryshimi duhet të ndodhë që Durrësi dhe Porti të jenë në simbiozë me njëri – tjetrin, Porti ta identifikojë qytetin sic ka bërë në histori, të modernizohet e t’i shërbejë turizmit dhe zhvillimit të tij, por kjo pasuri kombëtare nuk mund të përçudnohet, grabitet me VKM dhe Vendim Këshilli Bashkiak, xhepat tonë dhe të qytetit të zbrazen, e miliarda euro të prodhojnë biznes për klanin Rama- Dako- Sako.

Ndryshimi duhet të ndodhë që të marrë fund dhe batërdia urbane, t’i jepet frymëmarrje inisitivës së lirë, të mbrohet mjedisi, të mirëadministrojmë territorin e njësive administrative/komunave të Durrësit dhe shumë projekte që do t’i jepnin një faqe të re zhvillimit të integruar urban, por që mbi të gjitha do t’i shërbenin shëndetit e mirëqenies fizike e mendore të qytetarëve.

Ndryshimi duhet të ndodhë që taksat e qytetarëve dhe bizneseve të përdoren me efektivitet në shërbimet jetike për qytetarët, Durrësi në duart tuaja nënkupton më shumë gjelbërim, më pak zhurmë e trafik, më shumë shërbime për të pamundurit e ata që kanë nevojë, më shumë punë dhe rezultat në drejtim të turizmit dhe projekteve për rininë, kulturën, artin dhe sportin.

Të nderuar demokratë e opozitarë,
Të dashur miq

14 Maji është beteja jonë e përbashkët për ndryshimin e madh, që nis nga Durrësi e me shpresë shpërndahet në të gjithë Shqipërinë

14 Maji është dita nga nis zbatimi i projektit tonë për Durrësin, së bashku ne do të bëjmë gjithshka për ndryshimin, për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik; rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend, sepse bashkë fitojmë.

14 Maji është dita që ndan Bashkinë nga banda Rama- Dako- Sako dhe ja kthen qytetarëve. Do të bëjmë gjithshka për menaxhimin eficent të buxhetit të bashkisë; thjeshtëzimin e sistemit të taksave lokale, uljen e tyre, transparencën në mbledhje dhe kjo përmes administratës profesioniste e të përgjegjshme.

14 Maji është dita që na bashkon me çdo sipërmarrës të ndershëm të Durrësit që kontribuon çdo ditë për zhvillimin e ekonomisë dhe punësimin e qytetarëve; me të gjithë fermerët dhe peshkatarët që më shumë se kurrë kanë nevojë që Bashkia të kthejë kokën nga problemet e tyre; biznesin e turizmit e garantojmë që do të bëjmë gjithshka për të mbështetur sektorin, diversifikuar ofertën turistike, branduar Durrësin dhe marketuar atë, sepse bashkë fitojmë.

14 Maji, është dita që na bashkon për ta vlerësuar e trajtuar ndryshe trashëgiminë kulturore dhe historike të Durrësit, për të konceptuar e realizuar Parkun e Kujtesës, për të dedikuar një pjesë të burimeve financiare në funksion të projekteve të edukimit, kulturës, sportit, krijimit të qendrave shumëfunksionale dhe të ambjenteve të rekreacionit në njësitë administrative; ngritjes së Bordeve të të Urtëve me ekselencën durrsake anembanë botës; Qendrën e Aftësimit të të rinjve; sepse bashkë fitojmë!

14 Maji, do të jetë dita që do na bëjë bashkë dhe me shpresën tek Zoti do ndryshojë e përcaktojë shumë në jetët tona, me përgjegjesinë dhe dashamirësinë që na karakterizon, bashkë do fitojmë.

Faleminderit nga zemra!

Bashkë për ndryshimin! Bashkë për fitoren!