Vendosni fjalën kyçe....

Rreth 3 dekada proces, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Prokurorisë për të pandehurit e “Hakmarrjes për drejtësi”


Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e prokurorisë për personat e akuzuar si pjesë e organizatës të ashtuquajtur “Hakmarrja për drejtësi”.

Vendimi është marrë në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Lartë më 21 shkurt që ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që shpalli të pafajshëm të gjithë anëtarët e këtij grupi.

Prokuroria e Krimeve të Renda kishte kërkuar rikthim të çështjes për gjykim në shkallë të parë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit u shpall me 13 shkurt të vitit 2017, ku të gjithë të pandehurit u liruan nga akuzat.

Historia e çështjes

Procesi ndaj bandës “Hakmarrja për Drejtësi” ka zgjatur  afro 30 vjet dhe për shkak të kërkesave të shumta për gjykime e rigjykime një numër i madh gjykatësish janë përfshirë në proces.

Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por Prokuroria e aso kohe pretendoi se ishte krijuar në 1992 në qytetin e Durrësit.

Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye për gjykim me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.Vëllezërit Shyti janë djemtë e Aredin Shytit, një prej figurave të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në 1991. Të pandehurit e “Hakmarrjes për Drejtësi” i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe tërë akuzat, përfshi vrasje, vjedhje bankash deri edhe rrëmbime. Krimet më të rënda për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj bande janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” si edhe ekzekutimi në qendër të Tiranës të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.

Kërkesa për gjykim në shkallën e parë

Në datën 25 maj 2017, Gjykata e Lartë shpalli regjistrimin e çështjes me rekurs të prokurorisë, e cila është shprehur kundër vendimit që dha pafajësinë për të pandehurit e kësaj çështjeje.

Prokuroria kërkoi që çështja të kthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të zhvillohej shqyrtimi i provave, apo marrja e tyre rishtazi në lidhje me një sërë akuzash të rënda, ndaj Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Paso Novruzaj, Gëzim Gjoni e Dritan Hate.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit duhet të gjykoheshin për akuzat: “akte terroriste”; “vrasje në rrethana të tjera cilë- suese”; “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë; “vjedhje me pasojë vdekjen” në dy raste; “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” në dy raste, “rrëmbim dhe mbajtje peng e personit në rrethana lehtë- suese” në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale etj.