Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i kërkon Gjykatës së Tiranës të çrregjistrojë Lulzim Bashën si kryetar


Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me një kërkesë për konstatimin e pavlefshmërisë së procesit të zgjedhjes së kryetarit të PDSH në datën 13 qershor 2021 dhe çrregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar nga Regjistri i Partive Politike.

Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës nga Edit Harxhi, anëtarja e kryesisë së PD-së së drejtuar nga Sali Berisha.

“Sapo kam mbaruar një nga seancat gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Tiranë, për çështjen gjyqësore, padinë që unë i kam drejtuar gjykatës, në datën 30 qershor 2021.

Kërkesë kryesore ka qenë pavlefshmëria absolute e zgjedhjeve të Partisë Demokratike për kryetar partie në 13 qershor 2021.

Deri sot nuk ka pasur ende absolutisht një zhvillim seance normale dhe sot ishte një seancë, vazhdonte seanca paraprake e kësaj çështje dhe unë e avokatja ime Endira Bushati kërkuam në të njëjtën kohë, ndryshimin e objektit të padisë, pikërisht ç’regjistrimin e zotit Lulzim Basha nga regjistri i partive politike të gjykatës, si kryetar i PD-së, duke qenë se sot është një fakt i njohur botësisht se Basha ka dhënë dorëheqjen.

Kjo u pranua sot nga gjyqtari i çështjes dhe seanca tjetër gjyqësore, do të vijojë më tej pas disa javësh.

Unë së bashku me avokaten time vazhdoj të insistoj për këtë ndryshim të padisë, pikërisht për ç’regjistrimin e Lulzim Bashës nga regjistri i partive politike.

Shpresoj shumë që gjykata të vendosë drejtësinë, për një çështje shumë thelbësore për mua, por edhe për shumë anëtarë të PD-së, siç ka qenë pikërisht parregullsitë e zgjedhjeve të 13 qershorit 2021 dhe shpresoj shumë që kjo të mos përsëritet më.”- u shpreh ajo.

Gjithashtu PD kërkon dhe sigurimin e padisë, përmes pezullimit të përdorimit të të dhënave të PDSH, emrit të partisë, logos, shkronjave nistore, vulës, emrit të kryetarit, si dhe ndalimit të lëshimit të vërtetimeve mbi këto të dhëna nga Regjistri i Partive Politike pranë Gjykatës së Tiranës.