Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Nuk është faji i Rusisë që evropianët po grumbullojnë dru zjarri për dimër, si në mesjetë


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se autoritetet e vendeve evropiane po përpiqen të fajësojnë Rusinë për gabimet e tyre, por sipas tij nuk duhet fajësuar Rusia që evropianët janë të detyruar të grumbullojnë dru zjarri për dimër, si në mesjetë.

“Europianët e zakonshëm po vuajnë. Në një vit, faturat e tyre të energjisë elektrike dhe gazit janë trefishuar. Popullsia, si në mesjetë, filloi të grumbullojë dru zjarri për dimër. Çfarë lidhje ka Rusia me të? Dhe ata vazhdimisht po përpiqen t’ia hedhin fajin dikujt për gabimet e veta, në këtë rast kundër Rusisë, ata vetë janë fajtorë, dua të theksoj edhe një herë.”- tha Putin sot sipas TASS, në një fjalim në forumin e Javës Ruse të Energjisë.

Putin shton se për rritjen e çmimit të energjisë nuk e ka fajin lufta, por politikat e gabuara të Evropës prej disa vitesh.

“Ky nuk është as rezultat i ndonjë veprimi brenda kuadrit të një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë, në Donbas. Aspak. Ky është rezultat i një politike të gabuar energjetike gjatë disa viteve të mëparshme.”- theksoi kreu i shtetit rus.

Ai shtoi se rritja e kostove po dëmton ndërmarrjet evropiane.