Vendosni fjalën kyçe....

Largohet stafi i ambasadës iraniane, policia merr në kontroll godinën


Stafi i ambasadës iraniane është larguar në mesditë nga Shqipëria siç ishte paralajmëruar ditën e djeshme nga kryeministri Rama.

Godina është marrë në dorëzim nga autoritetet shqiptare. Fillimisht aty është futur RENEA dhe njësia Antieksploziv e më pas godina është marrë në kontroll nga policia.

Dyshohet se stafi i ambasadës ka djegur një sërë dokumentesh brenda para se të largohej ndërsa nuk i ka dorëzuar çelsat dhe as nuk e ka ulur flamurin.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp dje, kryeministri Rama tha se hetimi i thelluar kishte gjetur se pas sulmit kibernetik qëndronte Irani.

Ai njoftoi ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe i kërkoi stafit të ambasadës që të largohej nga Tirana brenda 24 orësh.

Po dje, SHBA-ja përmes ambasadës amerikane në vend dhe deklaratave nga Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe bëri thirrje që Irani të mbante përgjegjësi për sulmin.