Vendosni fjalën kyçe....

Rama për bastet sportive: Nëse rihapen, kjo do bëhet nga kompani ndërkombëtare që operojnë edhe në BE


Rikthimi i basteve sportive online në vendin tonë do të bëhet nga kompani ndërkombëtare, që operojnë edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama, i cili mbajti paradite një dëgjesë publike me federatat sportive dhe grupe të tjera të interesit.

“Do ta shikojmë me shumë pozitivitet. Do të vendosim kushte shumë të forta, do të kërkojmë patjetër që nëse kjo do të bëhet të bëhet me kompani ndërkombëtare. Nuk do lejojmë riciklimin e asnjë lloj gjëje që nuk sjell kulmin e transparencës, kulmin e garancive për lojtarët dhe kulmin e ligjshmërisë. Këto janë të garantuara nga kompani ndërkombëtare të mëdha që operojnë ndërkombëtarisht dhe në BE.”- tha kryeministri Rama.

Ky diskutim vjen 4 vite nga superoperacioni ‘Fundi i Marrëzisë’ që i mbylli pikat e basteve dhe llotove në gjithë vendin.

Rama theksoi se në rast se do të rihapen bastet online të gjitha paratë që do të vijnë do të shkojnë për sportin, kulturën dhe rininë, por pjesën kryesore do e marrë lëvizja sportive.