Vendosni fjalën kyçe....

Ndodh edhe kjo, Japonia nxit rininë të pinë më shumë për të rritur ekonominë


Të rinjtë e Japonisë janë më të matur se prindërit e tyre kur bëhet fjalë për alkoolin, diçka që autoritetet shpresojnë ta ndryshojnë me një fushatë të re.

Siç shkruan BBC, brezi i ri pi më pak alkool se prindërit e tyre, një veprim që ka goditur taksat nga pijet si sake (apo vera e orizit).

Për shkak të kësaj, agjencia kombëtare e taksave ka ndërhyrë me një konkurs kombëtar për të dalë me ide për të ndryshuar trendin.

Fushata e titulluar “Sake Viva!” shpreson të dalë me një plan për ta bërë pijen më tërheqëse – dhe për të nxitur industrinë.

Konkursi kërkon nga 20-39-vjeçarët që të ndajnë idetë e tyre të biznesit për të nxitur kërkesën mes bashkëmoshatarëve të tyre për alkool, pavarësisht nëse është për pijen japoneze sake, shochu, uiski, birrë apo verë.

Grupi që drejton konkursin thotë se zakonet e reja – të formuara pjesërisht gjatë pandemisë Covid dhe me një popullsi në plakje kanë çuar në një rënie të shitjeve të alkoolit.

Nga garuesit kërkohen promovime, marka dhe madje plane të avancuara që përfshijnë inteligjencën artificiale.

Mediat japoneze thonë se reagimi për këtë fushatë ka qenë i përzier, me disa që kritikojnë idenë e promovimit të një zakoni jo të shëndetshëm. Por të tjerë kanë postuar ide të çuditshme në internet – si aktore të famshme që “performojnë” si mikpritëse në klubet dixhitale.

Garuesit kanë kohë deri në fund të shtatorit për të paraqitur idetë e tyre. Më pas planet më të mira do të zhvillohen me ndihmën e ekspertëve përpara se propozimet përfundimtare të paraqiten në nëntor.