Vendosni fjalën kyçe....

Lihet në burg ish-shoferi i Drejtorisë së Burgjeve, kërkonte para në këmbim të favoreve në institucione


Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-shoferin e Drejtorisë së Burgjeve Hamza Tola.

Ai akuzohet se në shkëmbin të parave i premtonte personave të ndryshëm favore në institucionet shtetërore.

Në një pjesë të dosjes së publikuar nga gazetari i Shqiptarja.com, Arsen Rusta është rasti kur shtetasi Kastriot Kreku i kërkoi certifikatë pronësie dhe Tola premtoi se do ia jepte në këmbim të 3 mijë eurove.

“Nga fundi i muajit korrik 2021 takova një shtetas dhe më thotë që donte një dhomë me qera te hoteli im dhe i thashë që nuk kam dhe e çova përballë te një hotel dhe i thashë që pas tre ditësh mund të vish te hoteli tim.

Më bëri përshtypje sepse ky shtetas interesohej shumë dhe unë nuk i kisha shpjeguar asgjë, por ai interesohej për tokat, për dokumentet në përgjithësi. Që ditën e parë që erdhi në Borsh, darkën e hëngri te hoteli tim dhe aty filluam diksutonim dhe unë i shpjegova problemin që kisha. Ky shtetas mu prezantua si Hamza Haxhi Tola, i datëlindjes 13.12.1968 dhe më tha që punonte te Ministria e Drejtësisë dhe nuk ma tha pozicionin e se ku ishte, por kur u interesova e mësova që punonte si shofer në Drejtorinë e Burgjeve, në Tiranë. Pasi vajtëm te toka dhe e pamë të dy së bashku, Hamza Tola më siguroi që për këto toka do më nxirrte lejet që unë interesohesha dhe të dy ne ose fëmijët tanë mund të hapnin një biznes së bashku. Hamza Tola më tha që problemin e tokës e kisha të mbaruar dhe realisht kështu ndodhi, ky shtetas më kërkoi që ka disa shpenzime për të legalizuar shtëpinë dhe më kërkoi 3,000 Euro dhe unë i dhashë 2,000 Euro dhe në fund të shtatorit, 2021 e përfundoi lejen e legalizimit. Unë mendova se pagesa prej 2,000 Euro ishte që unë s’kisha për të kryer më pagesa dhe Hamza Tola më tha që ik te legalizimet se e ke gati dhe merr faturat për të bërë pagesën. Kur vajta te legalizimet, mora faturat dhe vajta te banka dhe paguajta rreth 400,000 Lekë dhe u pajisa me lejen e legalizimit, të cilët pas 30 ditësh bëra kërkesë për tu pajisur Certifikatë Pronësie. Në datë 06.10.2021 unë bëra aplikimin për tu pajisur me certifikatë pronësie.

Tola më tha që njihjte drejtoreshën e ASHK-së Sarandë dhe më tha që kam folur me drejtoreshën, me shtetasen Aida Demi. Problemi qëndronte se Hamza Tola filloi të më kërkonte lekë të tjerë dhe me tha me duhen 1,000 Euro dhe mi kërkoi urgjentisht dhe unë ia dërgova këto lekë me Moneygram dhe këto Euro ia nisa shtetasit Ervis Gjuzi-t, i cili ishte shoku i ngushtë i Hamza Tolës. Këto leke mua mu kthyen nga Moneygram sepse ishte mbi limitin që kishte kompania, por pas 3 ditësh me ËesterUnion i dërgova 500 Euro shtetasit Ervis Gjuzi-t, për t’ia dhënë Hamza Tolës dhe shtetasi Hamza Tola ma konfirmoi që i mori këto lekë.

Kur u ktheva në Shqipëri, në fund të nëntorit, të vitit 2021 unë takova Hamza Tola dhe vajta te shtëpia e tij në Tiranë dhe më bëri përshtypje se më tha që kishte një problem dhe do bëhet kontroll te ASHK Sarandë dhe do të bënin kontroll, pra kjo ishte si një presion nga ana e tij për të treguar fuqinë që kishte. Unë fillova të debatoja dhe i prishëm marrëdhëniet dhe me tha nuk do ta marrësh me Certifikatën e Pronësisë sepse ai kishte lidhje me drejtoreshën e ASHK-së Sarandë. Që në moment që marrëdhënia jonë u prish, e vërteta është se unë nuk u pajisa me Certifikatën e Pronësisë dhe ky problem është edhe sot dhe unë nuk jam po pajisem dot”, thuhet në dosje.