Vendosni fjalën kyçe....

“25 Maji ditë pushimi” – Evis Kushi: Pushim të gjitha institucionet arsimore publike dhe private në qarkun e Tiranës, përfshirë kopshtet



Pas vendimit të qeverisë për shpalljen e datës 25 Maj ditë pushimi në qarkun e Tiranës, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka lajmëruar nxënësit, studentët dhe të gjitha institucionet arsimore publike dhe private se do jenë pushim.

Ajo sqaron se kjo bëhet në kuadër të masave të marra për finalen e Conference League.

“Referuar vendimit të qeverisë për shpalljen e datës 25 Maj ditë pushimi për Qarkun e Tiranës, në kuadër të masave të marra për finalen e Conference League, ju njoftoj se të gjitha institucionet arsimore publike dhe private (përfshirë kopshtet, shkollat, universitetet, zyrat arsimore, etj.), do të jenë pushim.

Le të jemi të gjithë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe dhe të mirëpresim vizitorët nga e gjithë Europa!”– shkruan ministrja.

Ditën e djeshme ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi njoftoi se data 25 Maj do të jetë ditë pushimi për administratën në qarkun e Tiranës. Ai shprehej se gjithashtu nuk do të ketë lëvizje të makinave përveç urgjencave dhe të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen deri në 18:00.

 “Sot qeveria mori vendimin që data 25 të shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet publike që janë pjesë e qarkut të Tiranës, do të jetë pushim për këtë qark.

Kjo masë merret si masë për një ngjarje siç është finalja e konferencës së Ligës, ku presim një fluks të njerëzve që vijnë.

Kemi një interes për gati 5-6 herë më shumë seç ka kapaciteti i Air Albania. E para atë ditë në 25, do të jetë një ditë pa makina, pra nuk do të ketë lëvizje të makinave përveç urgjencave dhe ajo që është e rëndësishme, të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen deri në 18:00. Pra kush do të vijë në Tiranë për t’iu bashkuar festës do të vijë në Tiranë pas orës 18:00.”– tha ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.