Vendosni fjalën kyçe....

Eno Bozdo prezanton rregulloren e re për zgjedhjen e kryetarit të PD-së: Akses të barabartë në garë, në lista dhe në zyrën e shtypit


Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD ka publikuar sot ndryshimet e bëra në rregulloren për garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

Rregullorja u prezantua gjatë konferencës së sotme për mediet nga anëtari i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Eno Bozdo.

RREGULLORE E BRENDSHME MBI MODALITETET E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Procesi zgjedhor për Kryetar të PDSH garanton parimin e konkurrimit të lirë dhe shanseve të barabarta midis kandidatëve si dhe kontrollin e tyre mbi mënyrën e realizimit të tij.

Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas modaliteteve të parashikuara në këtë udhëzim. Anëtarët e partisë me të drejtë vote e ushtrojnë lirisht të drejtën e votes.

Kandidatët ftohen të paraqesin programin e tyre përpara strukturës së partisë dhe anëtarëve të partisë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, i mundësojne çdo kandidati akses të barabartë në garë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, qëndrojnë asnjanës në procesin zgjedhor.

Çdo kandidat ka të drejtën të caktojë pranë KOKOE, brenda datës 10 maj 2022, një vëzhgues të tij të përhershëm. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e Komisionit. Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të Komisionit dhe merr fjalën sa herë e kërkon për të parashtruar kërkesa, propozime apo ankesa.

Në Komisionet e Votimit dhe të Numërimit në degë, çdo kandidat ka të drejtën të caktojë një përfaqësues në Komision.

KOKOE ka përgjegjësinë të japë akses të plote dhe të menjëhershëm çdo kandidati në listën zgjedhore. Ky akses fitohet menjëherë pas regjistrimit të çdo kandidati nga KOKOE.

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike merr masat për pasqyrimin e barabartë të fushatës zgjedhore të secilit kandidat duke shpërndarë zyrtarisht çdo njoftim të kandidatit apo çdo përmbledhje të takimeve të tij.

Secili kandidat ka të drejtë të përdorë mjediset e selisë qendrore të Partisë Demokratike apo selitë e Degëve të partisë në rrethe për aktivitete të tij gjatë fushatës zgjedhore apo për komunikimin me mediat. Kryesitë e degëve marrin masa për plotësimin e kësaj pike.