Vendosni fjalën kyçe....

Sanksionet e SHBA-ve për Aqif Rakipin, i biri deputet: Babai im është super i pastër, i gatshëm të dorëzoj mandatin


Deputeti i PS-së Orlando Rakipi, djali i ish-deputetit Aqif Rakipi ka reaguar për vendimin e SHBA-ve për të vendosur sanksione ndaj babait të tij.

Në një prononcim për mediet, Rakipi u shpreh i tronditur nga njoftimi i sotëm i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara dhe hodhi poshtë akuzat se babai i tij kishte rekorde kriminale.

Ai tha se ishte i gatshëm që të jepte dorëheqjen nga posti i deputetit, në rast se do kishte prova kundër babait të tij lidhur me akuzat e përmendura.

“Jam dhe me emocione. Kemi lindur në demokraci, jam pro amerikan dhe babai im po ashtu. Se di ça është ai lloj vendimi. S’na ka ndodhur kurrë ajo gjë. Babai im është super i pastër. Mund ta shihni s’ka asnjë rekord kriminal dhe se çfarë flitet s’kemi lidhje me atë pjesë. Nuk e puptoj. Ne jemi të pastër, babai im është i pastër. Jam i hapur të bëj gjithçka, edhe të heq dorë nga mandati.”– tha Orlando Rakipi.

Përveç Aqif Rakipit Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara njoftoi vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike edhe për biznesmenin Ylli Ndroqi, si edhe për 5 zyrtarë të tjerë të Ballkanit, mes tyre edhe Nikola Gruevski. 

Çfarë njoftoi Departamenti i Thesarit për Rakipin:

Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.