Vendosni fjalën kyçe....

Po udhëtonte me tre shokët e tij, adoleshenti shqiptar digjet brenda makinës që shpërtheu në flakë në Greqi (FOTO)


Një adoleshent shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në një aksident automobilistik që ka ndodhur në Greqi këtë të hënë.

Sipas medieve të shtetit fqinj, 17-vjeçari me origjinë shqiptare ka qenë duke udhëtuar me një automjet sëbashku me tre bashkëmoshatarë, por makina ka dalë nga rruga dhe ka marrë flakë.

Zjarri i ka marrë jetën 17-vjeçarit, i cili ishte ulur në sediljen e pasme dhe nuk ka arritur të dalë nga automjeti, ndërsa zjarrfikësja e cila ka mbërritur në vendngjarje nuk ka arritur të bëjë asgjë.

Kjo sepse përplasja shkaktoi një shpërthim në rezervuarin e gazit dhe zjarri u përhap shpejt në kabinën e pasagjerëve.

Siç mësohet, të gjithë pasagjerët janë studentë në Greqi, me origjinë shqiptare.

Sipas dëshmitarëve okularë, automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, kur është përmbysur dhe është përplasur me shtyllat e vendosura në trotuar.

Policia Rrugore e Argostolit ka nisur hetimet paraprake për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje tragjike. Pasagjerët e tjerë të mjetit janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar vetëm lëndime të lehta.