Vendosni fjalën kyçe....

Si e dënoi gjyqtari Kastriot Gramshi qytetarin që kishte ndërtuar pa leje njësoj si vet gjyqtari


Gjyqtari Kastriot Gramshi i cili mashtroi Komisionin e Vettingut për një ndërtim shtesë pa leje, ka dënuar për ndërtim pa leje një qytetar në Vorë, një ditë pas zbulimit të mashtrimit të tij.

Në vendimin e dhënë me datë 16 shkurt, gjyqtari Gramshi ka dënuar një qytetar në Vorë për ndërtim pa leje, ndërkohë që në të njëjtën ditë iu zbulua mashtrimi për ndërtimin e vet pa leje.

Një ditë më herët, më 15 shkurt, gjyqtari Kastriot Gramshi mashtroi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore ai u shpreh para treshes së vetingut se kishte aplikuar në vitin 2016 për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, ndërsa punimet për shtesës që ka dyfishuar hapësirën e banesës së tij i kishte nisur në vitin 2017.

Por një ditë më pas, më 16 shkurt, ditën kur edhe ai dënoi qytetarin për ndërtim pa leje, u vërtetua me dokumente se gjyqtari Kastriot Gramshi kishte mashtruar para Komisionit të Vetingut.

Një dokument i siguruar nga Hashtag.al tregoi se Gramshi kishte mashtruar anëtarët e KPK-së, pasi nëpërmjet një shkrese zyrtare Bashkia e Tiranës konfirmoi se gjyqtari Gramshi nuk kishte aplikuar asnjëherë për leje ndërtimi për shtesën që ka ndërtuar.

Nga ana tjetër që prej vitit 2017 kur ai ka përfunduar dhe ndërtimin e shtesës që dyfishoi sipërfaqen e shtëpisë, nuk rezulton që Kastriot Gramshi të ketë aplikuar për legalizimin e saj.

Ky fakt konfirmohet nga një tjetër shkresë zyrtare nga Agjencia e Kadastrës, e cila konfirmoi se Gramshi nuk kishte aplikuar asnjëherë për legalizimin e këtij ndërtimi.

*Vendimin e gjeni të plotë këtu: Vendimi i gjyqtarit Kastriot Gramshi