Vendosni fjalën kyçe....

“Do t’i rikthejmë qytetit vlerat që i kanë munguar”- Si u prezantuan 6 kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjet e “6 Marsit”


Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot 6 kandidatët që fituan në primaret e 30 janarit në bashkitë e Shkodrës, Dibrës, Vorës, Durrësit, Rrogozhinës dhe Lushnjës.

Respektivisht ata janë Bardh Spahia, Ardian Muka, Elton Bano, Premtim Kryemadhi, Lulzim Vrana dhe Hekuran Xhani.

Për kandidatët Berisha tha se “Asnjëri nga këta zotërinj që shihni këtu nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisioni të Rithemelimit të PD, por janë të gjithë të propozuarit e bazës së partisë, që kanë mbështetjen absolute totale të Komisionit të Rithemelimit të PD dhe të Sali Berishës.”

Por si u vetëprezantuan ata?  

Bardh Spahia, Shkodër: Dje kam asistuar në një prej garave më të jashtëzakonshme. U bëra pjesë e një dite të historike, jo veç për PD, por për politikën shqiptare.

Gara e djeshme e realizuar nga struktura jonë e PD, ishte shpresëdhënëse për të ardhmen e cila riktheu edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme rëndësinë e votës së lirë të qytetarëve të lirë të këtij vendi. Kjo është e drejta absolute e tyre për të vendosur për ata që do ti përfaqësojnë ata në institucione lokale e kombëtare. Interes i jashtëzakonshëm i qytetarëve shkodranë që në orët e para të mëngjesit deri në orët e darkës.

Jam krenar unë dhe duhet të ndihet krenar çdo demokrat që u bë pjesë e një dite historike. Vendimmarrja tani është kthyer tek qytetarët.”

Ardian Muka, Durrës:Përgëzoj të gjithë demokratët durrsakë të cilët në primaret e djeshme shprehën me votën e tyre, në një proces transparent, demokratik, vlerat më të mira qytetare dhe demokratike. Jam anëtar i PD prej 15 vitesh, dhe simpatizant prej 30 vitesh.

Sfida jonë në Durrës është pak e veçantë, pasi prej 22 vitesh ne nuk e kemi si e djathtë këtë qytet. Jam i bindur 100% që kësaj radhe Durrësi do të jetë i qytetarëve.”

Elton Bano, Lushnjë:Kontributet e mia në PD kanë nisur që në vitet 1990. Që prej 1997 jam kontribuues edhe në fushatat e PD. Dje isha pjesëmarrës i një procesi të jashtëzakonshëm, i primareve, që demokratët votuan për kandidatin që ata menduan se do t’i përfaqësoj më mirë në bashkinë e Lushnjës.

Falënderoj pjesëmarrësit në votime dhe kandidatët e tjerë që morën pjesë në garë. Do ta fitojmë bashkinë e Lushnjes dhe do t’i rikthejmë qytetit vlerat që i kanë munguar. Qyteti im nuk është qyteti i krimit dhe korrupsionit, është qyteti i artit, kulturës, sportit, ngjarjeve historike. Është qyteti i kongresit të Lushnjës. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e garës së 6 marsit.”

Premtim Kryemadhi, Dibër:E kam nisur karrierën në PD, që në vitet 1990, duke mos kapërcyer hallkat. Kam qenë nënkryetar i PD-së në Dibër, kam drejtuar Këshillin Bashkiak, drejtorinë arsimore të Peshkopisë. I falënderoj demokratët e Dibrës që dje edhe pse në temperatura shumë të ulëta, erdhën dhe votuan masivisht edhe më shumë se ditën e referendumit. Ne jemi menaxhuar keq nga qendra. Në 25 prill unë isha kryetar i KZAZ-së, dhe kishim më shumë se 2500 vota se herën e fundit, por ne përfaqësohemi me vetëm 1 deputet. Demokratët e Dibrës do ta marrin bashkinë në 6 mars.”

Lulzim Vrana, Vorë: Jam pjesë e PD që në krijimin e saj. Jam fitues i primareve në Vorë. Falënderoj të gjithë demokratët, jo veç ata që më votuan mua, po të gjithë ata që morën pjesë. Jam dhe do të jem përfaqësues i qytetarisë së Vorës. Do të jem gjithmonë përfaqësues i tyre.”

Hekuran Xhani, Rrogozhinë: Student i dhjetorit 1990, anëtar i PD-së si në universitetin bujqësor të Tiranës, kur isha në shkollë edhe në vendin tim të banimit. Kam qenë sekretar i seksionit të Luzit të madh, që për 30 vite ka mbështetur PD-në. Falënderoj grupin organizator për procesin e djeshëm. Garantoj të gjithë demokratët e Rrogozhinës se ashtu e ndershme siç ishte gara e djeshme, ashtu do të jenë edhe shërbimet që ata do të marrin nga bashkia.”