Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja franceze: Ne ambasadorët nuk kemi pse të vendosim për shqiptarët


“Ne nuk kemi pse të vendosim në vend të shqiptarëve.”- kështu është shprehur ambasadorja franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq.

Gjatë një interviste për “Euronews Albania”, Barsacq u pyet për rolin dhe ndërhyrjen e ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të Shqipërisë. Ajo u përgjigj se vetë tregohet shumë e kujdesshme pasi nuk kanë pse të vendosin diplomatët e huaj në vend të shqiptarëve.

“Pra janë dy gjëra njëkohësisht: ndërhyrja e të huajve nxitur nga dëshira e një shteti të ri të marrë konfirmin se po vepron mirë, dhe nga ana tjetër kritika ndaj kësaj ndërhyrjeje. Unë jam tepër e kujdesshme dhe ne nuk kemi pse të vendosim në vend të shqiptarëve.”- u shpreh Barsacq.

Gjatë fjalës së saj, Barsacq shtoi se ambasadorët duhet t’i shërbejnë shtetit të tyre në vendin ku e përfaqësojnë: “Nuk duhet harrur për më tepër se një diplomat, edhe pse mund të flasë mirë gjuhën, të njohë historinë apo të informohet shumë, ai do të jetë përherë në sipërfaqe të realitetit të vendit, edhe pse përpiqeni pareshtur të thellohemi, por nuk i kemi të gjitha çelësat për të kuptuar. Kjo duhet mbajtur përherë para sysh, si dhe natyrisht Konventat e Vjenës.”