Vendosni fjalën kyçe....

Kompania e pastrimit tërhiqet nga kontrata, Elbasani nën pushtetin e mbeturinave, mbi 300 punonjës të papunë


Prej datës 24 nëntor kompania e pastrimit të qytetit të Elbasanit “Victoria Invest” është tërhequr nga kontrata dhe ka lënë qytetin të mbytur nga mbeturinat.

Përfaqësuesi i Bashkisë, Klisni Lala tha për Report TV se tërheqja e kompanisë së pastrimit ka krijuar një situatë të pazakontë dhe se për pastrimin e qytetit është angazhuar agjencia e shërbimeve publike.

“Për shkak të tërheqjes së firmës së pastrimit jemi në situatë të pazakontë. Kemi angazhuar agjencinë e shërbimeve publike në pastrimin e mbetjeve urbane. Agjencia e Shërbimeve publike heq edhe mbetjet në fshat ndaj është shkaktuar vonesë për pastrimin në qytet. Deri në zgjidhjen nga ana ligjore nga Agjencia e Prokurorit Publik do të përballemi me këtë situatë. Kërkojmë ndjesë qytetarëve, qyteti do të kthehet shpejt në normalitet”-deklaroi ai.

Por tërheqja e kompanisë ka lënë pa punë edhe mbi 300 punonjës të kësaj kompanie të cilët kanë mbetur sa hap mbyll sytë në rrugë dhe pa rroga.

Ata kërkojnë një zgjidhje të punësimit të tyre nga institucionet shtetërore.