Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj: Kategoritë e familjeve që përfitojnë direkt apartamentet e Rindërtimit, deri në shtatorin tjetër do jenë shpërndarë të gjitha


Në përfundim të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një dalje për mediat ka komunikuar vendimet e reja për këtë javë.

Ai foli për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, ku deklaroi se vendimi i parë lidhet pikërisht me shkollat e rindërtuara, të cilat i kanë kaluar për administrim dhe mirëmbajtje bashkive.

Po ashtu Ahmetaj tha se do të nisë shpërndarja e apartamenteve dhe njësive individuale për familjet e prekura nga tërmeti. Ai shpjegoi se, kategoritë që përfitojnë nga shpërndarja direkte e apartamenteve dhe njësive individuale janë familjet në nevojë, gratë kryefamiljare dhe familjet e policëve të vrarë.

“Dua të informoj publikun. Sapo filloi procesi i kalimit të shkollave të rindërtuara në pronësi të bashkive. Jemi duke folur për përfundimin e një numri të madh të shkollave të rindërtuara, që i kalojnë bashkive për administrim dhe mirëmbajtje.

Ky muaj do të jetë i rëndësishëm për procesin e rindërtimet për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në 2-vjetorin e tërmetit, do të tregojmë se si do të bëhet shpërndarja.

Një është lista prioritare që vjen si rrjedhojë e aktit normativ ku trajtohen familje me ndihmë ekonomike, apo nëna kryefamiljare, apo familjet e policëve të vrarë. Praktikisht këto familje shpërndarja do të bëhet menjëherë dhe për familjet e tjera me short publik.

Kjo është detyrë e bashkisë që të fillojnë të organizojnë shortet publike, që të jenë transparente për të shpërndarë njësitë individuale dhe ato apartamente. Vetëm për 20-26 nëntor do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Ndërkohë që nga Fondi i Zhvillimit janë shpërndarë gati 1100 njësi dhe janë dhënë grante S4 për familjet. Një pjesë e tyre do të futet në shtëpitë e reja. Do ta vazhdojmë gjatë nëntorit deri në fund të shtatorit, qoftë me shpërndarjen e njësive individuale dhe me apartamentet. Sot besojmë sërish që deri në shtator të vitit tjetër do t’i kemi shpërndarë të gjitha njësitë individuale dhe apartamentet.”– tha Ahmetaj.