Vendosni fjalën kyçe....

“Alarm i kuq” për shkak të motit të keq në Siçili dhe Kalabri, shkollat mbyllen nesër në disa qytete


Siçilia dhe Kalabria jugore po përgatiten për një natë kaosi dhe mes zonave të kuqe dhe urdhrave për mbylljen e shkollave, parqeve, madje edhe qendrave të vaksinimit.

Siç bëjnë me dije mediet italiane, mbrojtja civile ka shpallur situatën e emergjencës për motin e parashikuar për 25 tetorin në Calabri dhe pothuajse në të gjithë Siçilinë, ku era e fortë dhe shiu tashmë kanë goditur vende të ndryshme në ishull.

Për 24 orët e ardhshme parashikohen shira të dendur dhe për disa zona si në Reggio Calabria, Messina, Catania, Siracusa dhe Enna është urdhëruar mbyllja e shkollave. Alarmi parashikohet për zonën deri në Agrigento.

Në Catania, era tashmë ka rrëzuar disa pemë dhe shtylla ndriçimi veçanërisht në zonën jugore të qytetit. Në mëngjesin e vonë një varkë patrullimi e Rojës Bregdetare ndërhyri në veri të qytet, për të marrë kufomën e një njeriu, për të cilin nuk dihet ende asgjë, as identiteti dhe as shkaqet e vdekjes.

Dëmtime të shumta janë raportuar në Piazza Armerina, qyteti i mozaikëve në Villa del Casale romake, në zonën Ennese, ku kanë rënë disa pemë. Një humnerë është hapur në një rrugë qendrore të San Biagio Platani, në zonën e Agrigento.

Me alarmin e kuq të lëshuar nga Mbrojtja Civile, disa kryetarë bashkish kanë nënshkruar urdhëresa pëër të mbyllur shkollat, varrezat, parqet publike dhe këshillojnë popullatën të mos largohen nga shtëpitë. Është rregulluar edhe mbyllja e disa qendrave të vaksinimit.

Shqetësime serioze edhe në aeroportin Catania Fontanarossa ku rreth 15 fluturime hyrëse u devijuan në aeroporte të tjera italiane. Raportohen vonesa edhe për pesëmbëdhjetë fluturime të tjera që mbërrijnë si dhe nisje me vonesë për njëzet fluturime të tjera.