Vendosni fjalën kyçe....

IKMT shemb objekte në Radhimë, Çuçi paralajmëroi që nuk do ndalen


Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vazhdon shembjen e disa godinave pa leje në Radhimë të Vlorës.

Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi paralajmëroi ditë më parë se aksioni do të vazhdojë.

“Ajo që nisëm në muajin qershor nuk ka për të qenë thjesht një aksion. Kush e ka menduar kështu, gabohet rëndë. Kjo është një punë që do të vazhdojë me vullnetin tonë të plotë për të mos toleruar askënd që zapton e ndërton ku të mundet. Nisi ky operacion në zonat bregdetare, por IKMT dhe Policia e Shtetit do të jenë kudo tjetër në territorin e vendit ku po tentohet apo janë ngritur objekte pa leje ose që janë në tejkalim të lejes së miratuar”, tha ministri i Brendshëm për aksionin “Bregdeti Ynë” që do të vazhdojë në Dhërmi.

Deri më tani janë shembur mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetra persona, sipas të dhënave që vënë në dispozicion autoritetet.