Vendosni fjalën kyçe....

Një 18-vjeçar do të fluturojë në hapësirë me Jeff Bezos-in


Një 18-vjeçar do të bëhet personi më i ri që fluturon në hapësirë, pasi do t’i bashkohet biznesmenit Jeff Bezos në fluturimin e parë njerëzor nga kompania e tij hapësinore më 20 korrik.

Oliver Daemen do të fluturojë në vend të një ofertuesi anonim të 28 milion dollarëve, fitues i një ankandi publik. Fituesi i ankandit nuk mund të fluturonte në mision “për shkak të konflikteve të axhendës”, tha sipërmarrja hapësinore e Bezos, Blue Origin.

Adoleshenti është djali i CEO-s së Somerset Capital Partners, Joes Daemen. Ky i fundit kishte siguruar një vend në fluturimin e dytë, por u zhvendos në të parin kur fituesi i ankandit u tërhoq, tha Blue Origin. Siç shkruan BBC ai më pas zgjodhi të fluturonte me të birin, i cili është një student i fizikës.

Ai do të bashkohet me 82-vjeçarin Wally Funk, i cili do të bëhet personi më i vjetër ndonjëherë që udhëton në hapësirë. Jeff Bezos dhe vëllai i tij Mark do të jenë gjithashtu pasagjerë në raketën e quajtur New Shepard.

Fituesi i mëparshëm i ankandit ka mbetur anonim, edhe pse nisja ishte afër, dhe natyra e “konflikteve” që çuan në tërheqjen e tij nuk është zbuluar.

Blue Origin nuk ka thënë se sa kushton bileta e Daeman. Kompania tha vetëm se fluturimi do të përmbushë një ëndërr të përjetshme për adoleshentin “i cili është i mahnitur nga hapësira, Hëna dhe raketat që kur ishte katër vjeç”.

Kompania planifikon të nisë udhëtarët e saj më shumë se 100 km mbi sipërfaqen e Tokës, duke i lejuar ata të përjetojnë mikrogravitet.

Kapsula do të kthehet në Tokë duke përdorur parashuta në një udhëtim që pritet të zgjasë rreth 10 minuta. Jeff Bezos është një nga njerëzit më të pasur në botë. Ai e krijoi Blue Origin në vitin 2000 dhe njoftoi muajin e kaluar se ai dhe vëllai i tij do të fillonin fluturimin – duke e përshkruar si diçka që ai kishte dashur ta bënte “gjithë jetën”.