Vendosni fjalën kyçe....

Nën presion, ‘Toyota’ ndalon donacionet për kongresmenët republikanë  që kundërshtuan certifikimin e Biden si president


Nën presion nga disa grupe të shoqërisë civile në SHBA, kompania japoneze e prodhimit të automjeteve ‘Toyota’ po ndal donacionet për ligjvënësit amerikanë të cilët kundërshtuan certifikimin e zgjedhjes së Presidentit të SHBA Joe Biden më herët këtë vit.

Prodhuesi më i madh i makinave në botë tha se ‘do të pezullojë donacionet politike për ligjvënësit amerikanë që kundërshtuan certifikimin e fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në janar’, njoftoi Kyodo News me bazë në Tokio të premten.

Njoftimi erdhi pasi u zbulua se Toyota kishte paguar rreth 56,000 dollarë në donacione për 38 ligjvënës të cilët kishin votuar kundër certifikimit elektoral të Biden, duke tërhequr kritika nga grupet e shoqërisë civile të SHBA-së.

Toyota bën donacione ligjore për të dy partitë kryesore politike të SHBA-së, demokratët dhe republikanët.

38 ligjvënësit republikanë mbështetën përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për të refuzuar të pranojnë humbjen në zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2020, duke përmendur akuzat e manipulimit të votuesve.

Certifikimi i votës në Kongres është normalisht një proces i zakonshëm, por këtë vit u dëmtua nga refuzimi i Trump për të pranuar humbjen.