Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Kosovë, votojnë Osmani, Kurti, Hoxhaj, Haradinaj dhe Hoti


Ushtruesja e detyrës së Presidentit Vjosa Osmani ka votuar në fakultetin Teknik.

Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë”, ka thënë ajo.

Edhe Albin Kurti ka votuar në Fakultetin Teknik dhe në vendvotim është parë me bashkëshorten e tij.

Sot është ditë e bardhë e ndritshme, ashtu si do të jetë e ardhmja jonë. Qytetarët kanë nevoje për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet, sot kjo nevojë është e drejtë. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet popullit si burim i sovranitetit, sot duhet të votojmë. Fushata ka përfunduar pardje, sot e kanë fjalën qytetarët”-ka thënë Albin Kurti.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj së bashku me bashkëshorten kanë votuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.

”E ushtruam të drejtën tonë për të votuar, i lus të gjithë qytetarët që të votojnë. Na presin shumë sfida përballja me Serbinë, situata me pandeminë, ju lutem votoni të gjithë”-deklaroi kreu i AAK-së.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka votuar së bashku me bashkëshorten dhe djalin në fakultetin e Filologjisë.

Sot është dita kur flasin qytetarët, jo ne politikanët. Flasin qytetarët e Kosoës. Ne mendojmë që qytetarët janë para opsiononit të rimëkëmbjes ekonomike, apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar. Unë pres verdiktin që do ta japin sot gjatë ditës. Është verdikti më i rëndësishëm”, tha Hoxhaj pas votimit.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka votuar sot së bashku me bashkëshorten në fakultetin e Filologjisë.

Servetja dhe unë e kryem obligimin tone kushtetues për të votuar, ftoj të gjithë qytetarët të cilët kanë të drejtë votë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të dalin dhe të votojnë, sot është dita e tyre, ata sot thonë fjalën e tyre”- tha Hoti pas votimit.