Vendosni fjalën kyçe....

Rikuperimi në nivelet e 2019-s nuk ndodh para vitit 2024; Planet për investime në Rinas


Intervistë me Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport

“Tirana International Airport”, një prej kompanive më fitimprurëse në vend deri në vitin 2019, është goditur rëndë nga pandemia e COVID-19. Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport, pohoi se trafiku ajror është tkurrur me rreth 61% dhe po kaq priten të kenë rënë edhe të ardhurat. Ai shton se rimëkëmbja do të fillojë të forcohet, duke nisur nga mesi i vitit 2021, ndërkohë që vaksinimi në shumë shtete ka nisur. Me situatën që mbetet e paqartë, është shumë herët për të folur për skenarë pozitivë.

Në dhjetor, “Kastrati Group” u bë aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. “Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Z. Alvensleben pohon se grupi i ri aksioner ka prezantuar një plan të plotë investimesh, me vlerë totale afërsisht 100 milionë euro, të cilat kanë në fokus zgjerimin e kapaciteteve akomoduese të aeroportit në 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

Si ka qenë ecuria e Aeroportit të Rinasit në vitin 2020. Sa është prekur ai nga pandemia (fluksi i pasagjerëve, të ardhurat, fitim/humbje)?

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ishte e paparashikuar dhe rezultoi me ndikim në një shkallë shumë më të madhe se parashikimet fillestare, madje edhe më të mëdha se çdo krizë tjetër me të cilën është përballur industria e aviacionit në të kaluarën.

Por, kjo nuk është kriza e parë dhe nuk do të jetë as e fundit me të cilën do të duhet të përballemi dhe do të duhet të merret aviacioni civil. COVID-19 ka prekur shumë sektorë, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me aviacionin. Edhe në të ardhmen e afërt, referuar dhe skenarëve më pozitivë do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë.

Trafiku i pasagjerëve ajrorë ka regjistruar reduktim të përgjithshëm të pasagjerëve (si ndërkombëtarë, edhe të brendshëm) në shifrat që variojnë nga 59% në 60%, ose dhe më shumë në 2020, krahasuar me 2019 (burimi nga ICAO). Ndërkohë, aeroportet rezultojnë të kenë regjistruar një humbje të vlerësuar prej afërsisht 64.2% të trafikut të pasagjerëve dhe rreth 65% të të ardhurave, krahasuar me biznesin si zakonisht (nga ACI).

Sigurisht që ndikimi i pandemisë në trafikun tonë në “Tirana International Airport” ka qenë i dukshëm dhe është ndier shumë, edhe pse jo në nivelin e aeroporteve të tjera europiane, të cilat kanë shënuar rënie drastike të trafikut. Ne kemi regjistruar rënie me 60.7% të trafikut ajror krahasuar me vitin 2019. Shumica e aeroporteve të tjera europiane kanë pasur rënie deri në 85% të trafikut ajror, ose edhe më shumë. Të njëjtën gjë mund të supozojmë dhe për nivelin e të ardhurave, i cili pritet të jetë pak a shumë në të njëjtat nivele me atë të trafikut ajror.

A do të ketë TIA ndonjë fitim të vogël për vitin 2020? Është ende herët për një përgjigje të saktë, pasi jemi në proces përllogaritjeje me auditorët tanë dhe nuk kemi një rezultat financiar të vitit 2020. Në çdo rast, rezultati për vitin e kaluar nuk do të jetë i mirë. Kjo është më se e sigurt.

Si është pritshmëria për këtë vit, bazuar në planifikimet e fluturimeve që kanë bërë operatorët ajrorë?

Aviacioni është një prej industrive më të goditura nga kriza e pandemisë dhe në kushtet e një situate të paqartë dhe të zgjatur në kohë, apo më keq një ecuri jo e mirë e planit të vaksinimit, situata mund të mos jetë premtuese. Megjithatë, ne duam të besojmë se rimëkëmbja do të fillojë të forcohet nga mesi i vitit 2021, ndërkohë që vaksinimi në shumë shtete ka nisur.

Edhe në skenarin më pozitiv, ekspertët nuk presin rikuperim në nivelet e 2019-s para vitit 2024. Por, ekziston një perspektivë shumë reale që kjo rimëkëmbje mund të zgjasë edhe më shumë, ndoshta deri në vitin 2029. Sipas planit të deritanishëm, shpresojmë të arrijmë në 1.7 milionë pasagjerë, nga 1.3 milionë pasagjerë në vitin 2020. Ky sigurisht që është skenari më optimist.

Në këtë fazë, asgjë nuk është e sigurt dhe çdo gjë varet nga mënyra se si do të shkojnë gjërat dhe cilat do të jenë masat e të gjithë aktorëve. Ecuria e procesit të vaksinimit është sigurisht thelbësore. Sidoqoftë, pavarësisht statistikave, ka shumë konfuzion dhe besoj se është herët për të folur për skenarë pozitivë.

Është e qartë se i gjithë sektori i aviacionit do të vazhdojë të ketë nevojë për mbështetje financiare dhe për investime. 2021, në njëfarë mënyre, do të shënojë një pikë kthese për industrinë e aviacionit dhe ne jemi të bindur se shumë çështje thelbësore, siç janë rregullimet, integrimi i sistemit të aviacionit, rritja e investimeve dhe më kryesorja, mënyra e adresimit të qëndrueshmërisë, duhet të kenë vëmendjen maksimale të të gjithë aktorëve.

Më shumë se kurrë më parë, sektori i aviacionit ka nevojë për mbështetjen jo vetëm të investitorëve, por dhe të institucioneve rregullatore dhe më kryesorja, mbështetjen e qeverive, në mënyrë që efektet e krizës së COVID-19 të jenë më minimale dhe kriza aktuale të tejkalohet brenda një periudhe më të shkurtër. Kjo është domosdoshmëri “për një fillim pozitiv” në 2021 edhe për aeroportet e tjera të rëndësishme të Europës dhe më gjerë.

A ka plane për hyrjen e operatorëve të rinj low cost dhe si ka ndikuar deri tani hyrja e “Wizz Air” dhe “Easy Jet”. Si ka ndikuar pandemia në çmimet e biletave, sipas konstatimeve tuaja?

Siç e dini, TIA, menjëherë pas kalimit në pronësi nga grupi i investitorëve kinezë tek Kastrati Group, ka prezantuar një plan të plotë investimesh, me vlerë totale afërsisht 100 milionë euro, të cilat kanë në fokus, zgjerimin e kapaciteteve akomoduese të aeroportit në 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

Plani i investimeve nga koncesionari i ri është ambicioz, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza” dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes.

Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë), liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti dhe ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 euro në 10 euro. Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do të kenë efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë “Ryan Air”, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s.

“Wizz Air” padyshim ka pasur një fillim të mbarë këtu në TIA, me tre avionë të bazuar në vendqëndrimin tonë të avionëve. Për shkak të pandemisë, rritja e trafikut nuk ishte në nivelin e pritshmërive, por me 24% të trafikut “Wizz Air” tani është shoqëria më e fuqishme ajrore. Kjo tregon se segmenti “low cost” mund të jetë shumë i suksesshëm në të ardhmen. Gjithashtu kemi edhe “EasyJet”, i cili ka pasur mjaft sukses gjatë kësaj periudhe dhe treguesit premtojnë për një të ardhme pozitive.

Sikundër e theksova më lart, pjesë kryesore e strategjisë së investitorëve të rinj është tërheqja e linjave të tjera “low cost” të interesuara. Ne aktualisht jemi në bisedime me disa operatorë dhe shpresojmë që të kemi rezultate pozitive shumë shpejt. Krahas kësaj, dy linjat ajrore vendase, “Air Albania” dhe “Albawings” ofrojnë bileta të lira për në destinacionet italiane dhe më gjerë. Ne jemi të bindur që plani i investimeve dhe projekti i investitorëve të rinj do të ketë impakt të menjëhershëm, veçanërisht për tërheqjen e linjave “low cost” dhe jo vetëm…

Qeveria ka në plan të hapë garën për aeroportin e Vlorës. Si e vlerësoni konkurrencën nga ky aeroport dhe faktin që koncesionari i ri do ta ketë trafikun e garantuar? Sa interes ka në këto momente për të investuar në ndërtimin e një aeroporti të ri?

Pa diskutim që ndërtimi i aeroportit të ri në Vlorë do të thotë konkurrencë për TIA-n, në veçanti për të gjithë pasagjerët që jetojnë në Jug ose që udhëtojnë drejt Jugut. Të gjithë besoj jemi dakord me faktin që konkurrenca na nxit të jemi në përmirësim të vazhdueshëm dhe përmirësimi na bën edhe më konkurrues edhe përtej nesh.

Aeroporti i Vlorës do të jetë një destinacion turistik dhe shumica e pasagjerëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit të verës, veçanërisht ata që zgjedhin Jugun, do t’i drejtohen pikërisht këtij aeroporti. Kjo për ne është konkurrencë e drejtpërdrejtë, pasi gjatë sezonit të verës ne kemi dhe fluksin më të madh të pasagjerëve. Megjithatë, ne vlerësojmë se Shqipëria ka ende potenciale të pashfrytëzuara në sektorin e aviacionit civil.

Nëse i referohemi situatës aktuale të shkaktuar nga COVID-19, treguesit nuk janë pozitivë dhe rritja e konkurrencës do të na i vështirësonte paksa gjërat. Shpresojmë që kjo situatë të ndryshojë në të ardhmen. Jemi të bindur në potencialet që ofron Shqipëria, veçanërisht në sektorin e turizmit, dhe besojmë se në vitet e ardhshme, paralelisht me rritjen e investimeve në këtë sektor dhe zgjerimin e hapësirave akomoduese, do të ketë një rritje të vazhdueshme të interesit të turistëve të huaj.

Aeroporti i Vlorës, në këtë kuptim, do të jetë një aktor i rëndësishëm në rritjen e trafikut ajror. Shpresojmë që do të mund të rikuperojmë “humbjet” nga konkurrenca, me rritjen e përgjithshme të numrit të turistëve në të ardhmen.

Ndërkohë po punohet edhe për Aeroportin e Kukës. Si pritet të ndikojë në aktivitetin tuaj shtimi i konkurrencës me hapjen e aeroporteve të reja?

Sikundër e nënvizova më lart, ne besojmë te potencialet që ofron Shqipëria, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe se në vitet e ardhshme, paralelisht me rritjen e investimeve në këtë sektor dhe zgjerimin e hapësirave akomoduese, do të ketë rritje të vazhdueshme të interesit të turistëve të huaj. Investimet në sektorin e turizmit vitet e fundit janë diversifikuar ndjeshëm. Nëse u referohemi të dhënave, të periudhës para pandemisë, rezulton një rritje e interesimit të turistëve të huaj për zonat e tjera të Veriut, veçanërisht Alpet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Besojmë se në të ardhmen do të ketë rritje të kërkesës, pavarësisht efekteve të pandemisë në sektorin e turizmit. Shqipëria i ka të gjitha potencialet që të jetë më aktive dhe më atraktive, jo vetëm për sezonin e verës, por gjatë gjithë vitit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se për vetë pozicionin e aeroportit të Kukësit do të jetë një vlerë e shtuar. Aeroporti i Kukësit përbën një rritje të rëndësishme të ofertës së fluturimeve në Shqipëri, veçanërisht për Veriun dhe për nga madhësia, mendoj se do të jetë një konkurrent i drejtpërdrejtë i Aeroportit të Prishtinës dhe Shkupit.

Investitori i ri ka një plan të qartë investimesh, i cili synon ta bëjë TIA-n më atraktive dhe të aksesueshme për të gjitha linjat ajrore dhe me përfundimin e fazës finale, kapaciteti operues i terminalit do të arrijë në 6 milionë pasagjerë në vit. Është një plan afatgjatë që ka në fokus rritjen e trafikut të pasagjerëve dhe pozicionimin e Tirana International Airport si një hub rajonal për aviacionin, pavarësisht shtimit të konkurrencës.

Në dhjetor, koncesioni i Aeroportit të Rinasit ndryshoi pronësi. A mund të jepni më shumë detaje për planet e sipërmarrjes së re në drejtim të kësaj?

Që nga fundi i muajit dhjetor, Kastrati Group është aksioneri i vetëm i TIA-s, dhe mendoj se aksioneri i ri ka një plan të detajuar dhe ambicioz investimesh, që do të ketë ndikim jashtëzakonisht pozitiv në të gjitha aspektet. Plani i investimeve parashikon zgjerimin e kapacitetit të aeroportit dhe të terminalit, zgjerimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve. Me rritjen e ndjeshme të investimeve, të cilat do të zgjerojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve, TIA do të jetë aeroport i kategorisë 4E, dhe do të ofrojë linja direkte me gjithë kryeqytetet dhe qytetet e rëndësishme politike dhe ekonomike të Europës.

Zgjatimi i pistës është investimi më ambicioz dhe do të ketë ndikim afatgjatë që do të sjellë në rritjen e trafikut dhe pozicionimin e TIA-s. Terminali aktual do të ketë përmirësim të ndjeshëm dhe do t’i nënshtrohet jo vetëm zgjerimit, por dhe rimobilimit dhe rinovimit të të gjitha pajisjeve të sigurisë. Me përfundimin e fazës finale të investimeve, kapaciteti operues i terminalit do të arrijë në 6 milionë pasagjerë në vit. Investimi do të sjellë rritje të ndjeshme dhe të punësimeve të drejtpërdrejta në Aeroport dhe bizneset ndihmëse përreth aeroportit.

Siguria e aeroportit do të jetë kryefjala e investimeve të reja dhe me rinovimin e plotë të sistemit të sigurisë. Ndërtesa e re e zjarrfikëses është një tjetër investim që do të përmirësojë KPI (indekset kryesore të performancës) të aeroportit. Pjesë kryesore e investimeve është dhe riasfaltimi përfundimtar i së gjithë pistës dhe taxiway, një investim, i cili do të jetë sipas standardeve bashkëkohore. Me shtimin e trafikut dhe me zhvillimin e aeroportit si një hub rajonal, do të jetë i domosdoshëm dhe shtimi i posteve të parkimit të avionëve dhe veçanërisht për akomodimin e avionëve transoqeanike.

Bashkë me projektin për zgjatimin e pistës, është parashikuar dhe rinovimi i plotë dhe implementimi i sistemeve më moderne të ndriçimit, të cilat do të jenë të kategorisë së fundit. Për të favorizuar sa më shumë pasagjerët, me shtimin e numrit të pasagjerëve, plani i investimeve parashikon dhe shtimin e hapësirave të jashtme të parkimit për pasagjerët.

Gjithashtu do të bëhet dhe stacioni i transportit urban për të lehtësuar ndërlidhjen e aeroportit me gjithë Shqipërinë. Këto janë vetëm disa prej pikave kryesore të planit të investimeve, të cilat sigurisht nëse i detajojmë, përfshijnë shumë elemente të tjera të rëndësishme, por që përmblidhen në një emërues të përbashkët; infrastrukturë moderne, cilësia e shtuar dhe çmime më të favorshme.

Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 euro në 10 euro. Sa pritet të jetë efekti financiar i saj?

Ulja e tarifës së pasagjerit, e cila është tarifa e drejtpërdrejtë që aplikohet në çmimin e biletës, do të ketë ndikim të madh financiar për TIA-n. E vetmja mënyrë që të kompensojmë të ardhurat e munguara nga ulja e tarifës së pasagjerit do të jetë puna e fortë dhe një strategji e detajuar për rritjen e fluksit të pasagjerëve, veçanërisht pas viteve të rimëkëmbjes nga efekti i pandemisë dhe për vitet në vijim.

Pjesë e strategjisë sonë për të minimizuar efektin e uljes së tarifës së pasagjerit, janë dhe nismat e tjera, të cilat synojnë që të ulin në maksimum kostot për kompanitë ajrore që operojnë aktualisht në TIA. Janë një sërë iniciativash, të cilat do të kenë ndikim të shumëfishtë për uljen e çmimit të biletave të pasagjerëve. Në të ardhmen, kjo do të përkthehet në më shumë pasagjerë, më shumë të ardhura për kompanitë, një bilanc më pozitiv për aeroportin dhe sigurisht më shumë të ardhura për shtetin shqiptar.

Janë njoftuar investimet prej 100 milionë eurosh. Në çfarë periudhe do të shtrihen këto investime dhe çfarë synojnë?

100 milionë investime është një shifër e konsiderueshme. Edhe për kompanitë e mëdha do të ishte e pamundur të bënin një investim të tillë në shumë pak vite, sidomos në kushtet kur sektori i aviacionit civil është ndikuar ndjeshëm nga COVID-19.

Por, projekti i investitorit të ri është ambicioz dhe do të jetë i shtrirë në kohë për një periudhë prej 10 deri në 15 vitesh. Dhe ne jemi të bindur që kjo do ta shndërrojë Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës një aeroport shumë të fuqishëm dhe një hub të rëndësishëm në Ballkanin perëndimor.

Liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë). Çfarë synon?

Liberalizmi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) synon që shërbimet aktuale të Shërbimeve në Tokë të ofrohen dhe nga kompani të tjera të specializuara ndërkombëtare, të cilat ofrojnë shërbimet e tyre në aeroportet e tjera të rëndësishme në Bashkimin Europian.

Dhe liberalizimi i këtij shërbimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe më kryesorja, në uljen e tarifave dhe elementeve të tjera. Të gjithë këto elemente do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimit të biletës dhe do të sjellë shumë benefite për Shqipërinë.

Ndërkohë, me plotësimin e të gjithë elementeve dhe rritjen e nivelit të kategorisë së aeroportit në 4E, nga momenti i krijimit të kushteve teknike edhe të këtij lloji dhe rritjes së kapacitetit të përpunimit të avionëve transoqeanikë, për shumë linja do të jetë me interes edhe hyrja e linjave direkte nga dhe për në Shqipëri, pa pasur nevojë të paguajnë tarifa konektiviteti. E thënë ndryshe, përfituesit kryesorë të këtij projekti të madh do të jenë qytetarët shqiptarë, të cilët do të kenë të njëjtat benefite me qytetarët e Bashkimit Europian.

Liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve. Pse do të bëhet dhe çfarë synon?

Liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve, pa diskutim që të sjellë më shumë konkurrencë në treg dhe rritja e konkurrencës do të ndikojë ndjeshëm në uljen e çmimeve të furnizimit të avionëve me karburant. Një nga shqetësimet kryesore të koncesionarit të vjetër ka qenë pikërisht ulja e çmimit të karburanteve. Është një kërkesë që ne i kemi kushtuar një vëmendje të rëndësishme.

Përveç BP, mund t’ju them se do të kemi dhe kompani të tjera që do të ofrojnë këtë shërbim. Ne synojmë që të rrisim konkurrencën ndërmjet furnizuesve të karburantit për avionët, në mënyrë që çmimet të ulen ndjeshëm dhe linjat ajrore të mund të përfitojnë nga reduktimi i ndjeshëm i kostove të karburantit. Dhe së bashku me elementet e tjera, kjo do të ndikojë ndjeshëm në uljen e çmimit të biletave.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *