Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: 25 prilli referendum popullor, t’i japim fund qeverisjes që ka rrënuar vendin


Kryetarja e LSI-së, ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë 9 në Tiranë. Kryemadhi theksoi se qytetarët ndihen të papërkrahur, të pambrojtur dhe me pamundësi për të zhvilluar biznesin e tyre.

Ajo tha se forca politike që drejton ofron mundësi të mira duke krijuar hapësira për të rinjtë e vendit që vijnë nga bota civile e ajo akademike.

“Ajo e cila unë kam vënë re është që sot njerëzit ndihen të pa përkrahur, të pambrojtur, nuk kanë mundësinë e krijimit të biznesit, të hapjes së një vendi pune ose plotësimit të kërkesave kryesore familjare për familjet e tyre. Unë jam e bindur që ne si LSI kemi shanse dhe mundësi, sepse krijimi i hapësirave të reja për të rinjtë, për të rejat, për gratë, për vajzat, për shumë njerëz që vijnë nga shoqëria civile, por edhe nga bota akademike, japin hapësira për përfshirjen e shumë njerëzve, por edhe krijimin e disa hapësirave më shumë të qytetarëve për të zgjedhur.” – tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së shtoi më tej se rritja e taksave, keqqeverisja si dhe keqmenaxhimi i pandemisë kanë krijuar vështirësi të shumta për qytetarët e binzeset në Tiranë dhe në mbarë vendin.

“Unë e di që sot në Tiranë qytetarët janë më me pak shpresë, sot qytetarët i kanë mundësitë që taksat t’i paguajnë shumë më shumë se 4 vite më parë, kur në fakt mundësitë e tyre për të pasur të ardhura nga pagat apo biznesi i tyre, jo vetëm janë minimale, por po shkojnë drejt reduktimit. Pandemia ka rrënuar ekonominë e qytetit të Tiranës, por nga ana tjetër edhe ndihma e qeverisë për bizneset ka qenë jashtëzakonisht e vogël, të mos them inekzistente, ka qenë thjesht një fasadë. Pra më shumë i është përkushtuar  oligarkëve të emëruar për t’i dhënë para dhe fonde nga buxheti i shtetit, se sa janë përqendruar për t’iu dhënë bizneseve për të mbijetuar apo për të shmangur falimentimin.” – shtoi ajo.

Në fund Kryemadhi bëri thirrje që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhjet e 25 prillit për t’i dhënë fund braktisjes së vendit nga qytetarët si dhe për të kthyer shpresën në vend.

“Tashmë nuk kemi më kohë. Qytetarët më 25 prill duhet të shkojnë të votojnë te kutia e votimit. Ndërkohë ne në LSI e kemi këtë të veçantë, se pjesën më të madhe të votuesve i kemi të rinj dhe të reja dhe atë kartën e identiteti e kanë akoma në afat, por pavarësisht nga kjo ne duhet të informojmë çdo qytetar për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe për ta rinovuar atë, edhe pse me thënë të drejtën në këtë situatë krize është shumë e shtrenjtë për ta. Por nga ana tjetër është edhe verifikimi në listat e zgjedhësve, ku ne duhet t’i verifikojmë gjithmonë njerëzit, sepse mund të bësh kartën e identitetit, sepse gjendja civile të ka çuar nga Tirana të votosh në Kolonjë, apo diku tjetër. Kështu që kjo është detyra e strukturave të partisë, evidentimet e problematikave të listave të zgjedhësve, pajisjen e njerëzve me kartat e identitetit për t’i informuar ata dhe sigurisht rikujtimi i një procesi shumë të rëndësishëm  siç është procesi i 25 prillit, që do të jetë një referendum mbarë popullor, ndaj një problematike që vetëm i ka krijuar më shumë probleme Shqipërisë.” – shtoi Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *