Vendosni fjalën kyçe....

Rama shkon në burgun e grave për t’i dhënë lajmin për amnistinë


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kanë vizituar sot burgun e grave, për t’u treguar për aministinë që ka vendosur të bëjë qeveria që pritet t’u sjellë lirinë gjysmës prej tyre.

Rama sqaroi procedurën për miratimin e aministisë për gratë e burgosura dhe shtoi se ajo do të miratohet në parlament menjëherë pas Vitit të Ri.

“Kemi ardhur të jemi pranë jush, tema juaj është një temë që është diskutuar më shumë se një herë në mbledhjet tona. Parlamenti miraton amnistinë menjëherë pas vitit të ri. Ato që përfitojnë do dalin menjëherë. Do kujdesemi që secilës t’i jepet një mundësi për punë, apo për nevoja të tjera që mund të plotësojmë në familjet tuaja dhe të bëjmë atë që duhet të bëjmë që të mos ndjen indiferencë por solidaritet”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se për ato që nuk do përfitojnë lirinë do të krijohen kushte për të bërë sa më lehtë dënimin.

“Faleminderit për praninë tuaj. Në kushtet që jeni është një pranie  detyruar por jam i bindur nga fjalët e zonjave që folën se është një prani e dëshiruar. Më vjen shumë mirë që bëjmë këtë amnisti. Ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia në një mënyrë a tjetër, dhe duke parë rastet një nga një, më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe të tjerat do përfitojnë 1/3 ulje të dënimit. Unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë sepse do kisha dashur më shumë ulje, jo për të justifikuar krimet por për arsye se unë besoj se kur një grua arrin në atë ekstrem, përtej faktit që kryen një krim, ka me siguri 1001 arsye, plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura që e çojnë në atë pikë. Me duhet të them se predispozita e ministres ka qenë maksimale por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyet legjitime dhe morale. Etilda vjen nga një rrugë e nisur në anën e të drejtave të njeriut duke qenë person aktiv në këtë fushë. Do të bëj të mundur që ato që do qëndrojnë të ndihen më mirë. Kam biseduar me drejtoren tuaj për të krijuar kushte që ju të mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin”, tha Rama.

Gratë e burgosura u shprehën të penduara për krimet që kishin kryer, duke thënë se jashtë i prisnin fëmijë dhe familje.

E para që tregoi historinë e saj ishte një vajzë 24-vjeçare Redona, e cila tha se ishte arrestuar 3 vite e gjysmë më parë për drogë. Ajo kërkoi që gratë dhe vajzat të mos gjykohen shumë rëndë për krimet që kanë kryer, duke thënë se janë shtyrë nga faktorë të ndryshëm social dhe ekonomikë.

“Unë jam Redona 24 vjeçe, jam arrestuar para 3 vite e gjysëm në doganë pasi supozohej se isha duke trafikuar lëndë narkotike. Kam 3 vjet e gjysëm që vuaj dënimin e mund të them që jam penduar shumë, ishte gabim që unë bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëj atë lloj gabimi.

Duke ardhur këtu e duke arritur të njoh e njerëz e histori të tjera kam arritur të kuptoj që gratë këtu s’duhen paragjykuar per asnjë vepër që kanë bërë se ka qenë një moment i gabuar ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur.

S’duhen gjykuar aq rëndë nga gjykata për veprime që kanë ndodhur për faktorë të ndryshëm. Doja tju kërkoja edhe që kur gratë plotësojnë afatet para kohe të tregoheshin pak më të lehta për gratë që janë nëna e bija e i mungojnë një familje, një shtëpi ka nevojë për një grua për të qendruar shtëpi e fortë”, u shpreh Redona.

Një tjetër grua, e quajtur Ermira, ka dhe më të vështirë qendrimin në qeli, për shkak se jashtë e presin tre fëmijë. Ajo gjithashtu ishte e dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Gruaja tha se ishte shtyrë nga vështirësitë ekonomike, pasi ishte ndarë nga basghkëshorti dhe duhej të rriste e vetme 3 fëmijët.

 Ajo tha se nuk iu jep dot një përgjigje se kur do të kthehet ti shohë sërish.

 “Unë jam Ermira, jam dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të hashashit. Nuk jam krenare e më vjen shumë turp në radhë të parë nga vetja e fëmijët, kam 3 fëmijë, por isha e detyruar nga gjendja ekonomike, isha e ndarë me 3 fëmijë që i rrisja vetëm, me detyroi të bëj disa vepra që s’ndihem aspak krenare.

Kam 5 vjet që vuaj dënimin duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë. E kur më pyet ai i vogli mama kur do vish e nuk di përgjigjen është një ndienjë që s’mund tua shpjegoj me fjalë. Të jesh këtu brenda eshtë shumë e vështirë. Githcka mund të kalohet në jetë por kufizimi i lirisë duhet ta provojë dikush që ta kuptojë. Një nënë në burg do të thotë një famiilje e shkatërruar, sidomos për fëmijët që s’kanë një nënë pranë ti kontrollojë e ti mbështetë”, tregoi Ermira.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *