Vendosni fjalën kyçe....

Kërkesat e minatorëve dhe argumentet pse zgjidhja e kontratës së “Albchrome” me Debreshin është e paligjshme


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ashtu siç kishte paralajmëruar,  protestoi sot para hyrjes së minierës së kompanisë “Albchrome” për shkak të largimit nga puna të kreut të kësaj sindikate Elton Debreshi.

Kjo sindikatë ka dalë me një njoftim për mediat, përmes të cilit jep argumentet se përse zgjidhja e kontratës mes kompanisë dhe Debreshit është e paligjshme.

Vetëm pesë ditë pas shpalljes së Sindikatës, kompania Albchrome thirri për takim Kryetarin e Sindikatës, Elton Debreshin, me qëllim diskutimin e etikës në vendin e punës dhe mungesave të konsideruara si të pajustifikuara.

Takimi sipas sindikatës u mbajt në datën 19.11.2019 në zyrat e Albchrome në Tiranë. Mirëpo sipas Debreshit, ky takim nuk kishte të bënte aspak me problemet konkrete në vendin e punës, por shërbente për të ushtruar presion ndaj tij si Kryetar i Sindikatës.

ARGUMENTET E SMBB

– Nuk kishte asnjë arsye që takimi të mbahej në zyrat e kompanisë në Tiranë. Albchrome ka në Bulqizë drejtuesit dhe administratën e saj vendore. Diskutimi i problemeve rutinë të punës duhet të ndodhte në Bulqizë. Thirrja në zyrat e Albchrome në Tiranë është haptazi një mjet diskriminues dhe presion.

– Përfaqësuesit e kompanisë gjatë takimit ngritën pretendime në lidhje me mungesat e muajve Korrik, Gusht dhe Shtator. Në asnjë nga këta muaj, Albchrome nuk e ka ngritur këtë shqetësim nëpërmjet ndonjë njoftimi me shkrim. Këto shqetësime, lindën dhe u ngritën vetëm pesë ditë pas shpalljes së Sindikatës. Pra, pretendimet në lidhje me mungesat e muajve Korrik, Gusht dhe Shtator, janë haptazi një mjet diskriminues presioni ndaj Kryetarit të Sindikatës.

– Gjatë takimit në Tiranë, Kryetari i Sindikatës ka dhënë shpjegimet në lidhje me mungesat si dhe ka paraqitur kopje të raportit të nënshkruar edhe nga vetë mjeku i kompanisë për muajin Shtator 2019. Megjithatë në procesverbalin e mbajtur nga punonjësit e shoqërisë Albchrome u shkrua e kundërta e deklaratave të dhëna dhe qëllimisht nuk u pranua që procesverbali të saktësohej. Ky fakt dëshmon se procesverbali i takimit është mbajtur me keqbesim nga ana e kompanisë Albchrome.

-Asnjë nga pretendimet e ngritura gjatë takimit nuk përbën shkak për zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës, as sipas Kodit të Punës dhe as sipas kontratës së punës. Kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh faktin se mungesat e pretenduara prej kësaj shoqërie janë të justifikuara me anë të raporteve të dorëzuara tek dega e Albchrome në Bulqizë.

-E vetmja arsye për zgjidhjen e kontratës së punës me efekte të menjëhershme është themelimi dhe regjistrimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe zgjedhja e Elton Debreshit si Kryetar i kësaj sindikate.

-Si rrjedhojë, zgjidhja e kontratës së punës është e paligjshme, është e pavlefshme dhe është një akt ndërhyrjeje në funksionimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, nëpërmjet veprimeve diskriminuese kundër Kryetarit të Sindikatës.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i ka paraqitur kërkesat e saj kompanisë Albchrome,duke thënë se në rast të kundërt, nëse kërkesat nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë veprimet e tyre.

KËRKESAT

  1. Të anulojë vendimin e saj të paligjshëm të zgjidhjes së kontratës së punës me Kryetarin e Sindikatës, Elton Debreshin.
    2. Të realizojë rikthimin e menjëhershëm të tij në vendin e punës.
    3. Të ndalojë sa më parë veprimtarinë e ndërhyrjes në aktivitetin e kësaj Sindikate, që po vazhdon edhe me thirrjen në takime të ngjashme në Tiranë të dy anëtarëve të Këshillit Sindikal, përkatësisht Z. Behar Gjimi dhe Z. Beqir Duriçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *