Vendosni fjalën kyçe....

Kthehen nga Siria dhjetëra kosovarë, dërgohen në periferi të Prishtinës


Dhjetëra kosovarë, duke përfshirë gra dhe fëmijë që kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri, janë kthyer në Kosovë. Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, bëri publik lajmin për gazetarët. Ai tha se shtetasit që kanë qenë në Siri u kthyen mbrëmjen e së premtes, por pa dhënë detaje se sa është numri i tyre.

 “Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tonë nga Siria tashmë ka përfunduar me sukses dhe çdo detaj tjetër do ta merrni nesër në një konferencë në orën 10”, tha Tahiri në një deklaratë për mediat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, tha se hollësitë do të publikohen paraditen e së shtunës.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, të kthyerit nga Siria janë larguar nga Aeroporti “Adem Jashari” me makina të shumta policore, për t’u dërguar në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll, në periferi të Prishtinës.

Kthimi i shqiptarëve të Kosovës nga Siria vjen pas thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për vendet e Europës, që t’i marrin dhe gjykojnë në vend luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Në gjashtë-shtatë vjetët e fundit nga Kosova kanë shkuar në Siri dhe Irak më shumë se 400 qytetarë, kryesisht të rritur, për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në muajin shkurt, në zonën e konfliktit në Siri kanë qenë 44 gra dhe 48 fëmijë kosovarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *