Vendosni fjalën kyçe....

Media italiane: Saimir Tahiri gënjeu, Italia e kishte nën hetim për trafik droge


Janë disa nga të hetuarit në procesin e zhvilluar në Itali në lidhje me trafikun e drogës me Shqipërinë. Fytyra të njohura, sidomos në Shqipëri, që në periudhën midis 2013 e 2015 ishin në gjendje të bënin trafik të fuqishëm e që tashmë janë pas hekurave.

Në mes janë lumenj marijuane që blihej nga disa grosistë sicilianë e pastaj shitej në Catania e rrethinat e saj. Biznes prej miliona euro, i kryer përmes makinave apo trageteve, një histori spiunazhi ndërkombëtar që vuri në telashe njerëz institucionesh, trafikantë dhe një ish-ministër të brendshëm të fuqishëm në Shqipëri.

‘Shqiptarët vinin për të bërë marrëveshje për ngarkesën që do të më shisnin dhe për çmimin… Pastaj unë ua shisja blerësve të mi të besuar, kryesisht persona në territoret e brendshme kataneze’.

Antonio Riela, lindur në Catania 47 vjet më parë, akuzohet se ka qenë një nga blerësit e drogës. Në raporte të ngushta me narkotrafikantin dhe bosin e supozuar Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri.

Riela përfundoi në burg në tetor 2017 dhe tani dalin disa detaje nga dëshmia e tij. Përgjigje që përmbajnë akuza, pohime, por edhe disa ‘nuk dua të flas’. Si për shembull në rastin kur refuzoi të zbulonte emrin e pronarit të një magazine në Gravina, ku mbante qindra kilogramë drogë.

Riela zbulon edhe detaje për rrugën e marijuanës përmes detit apo për mbrojtjen institucionale që gëzonte grupi. ‘Moisiu më qetësonte duke më thënë se ishte i mbrojtur nga një person i rëndësishëm në Shqipëri që i mundësonte eksportimin e sasive të mëdha të marijuanës’, shpjegon.

Cilit i referohet Riela? ‘Më thoshte edhe emrin e personit, por tani nuk më kujtohet’, thotë gjatë marrjes në pyetje nga hetuesi Andrea Bonomo. Megjithatë, diçka i vjen në mendje. ‘E kam shoqëruar Moisiun te një shitës sendesh të çmuara që gjendet pas gjykatës së Catanias.

Nuk hyra brenda, por e di që ata duhej të ktheheshin në Shqipëri dhe blenë disa stoli. Ishte dhjetor 2013’. Kjo që thotë Riela nuk është lidhja e vetme me blerjen e stolive. Në dy përgjime ambientale, të futura në dosjen hetimore, ishte pikërisht Habilaj që i tregonte një bashkëpunëtori për dy stoli me diamante të blera në Catania më 2013.

Sipas zbardhjes nga hetuesit, ato stoli me vlerë rreth 4 mijë euro, janë bërë dhuratë për gruan dhe nënën e Tahirit. Hipotezë e përgënjeshtruar nga Tahiri dhe vetë Habilaj. Ky i fundit ka folur në burg me hetuesit më 24 janar dhe në këtë pikë ka qenë i prerë: ‘Është e vërtetë, i bleva. Por ishin për gruan e Fatosit’.

Më saktë, për njeriun që Habilaj e identifikon si bosin e tij në trafiqet ilegale, duke u përpjekur të largojë nga vetja akuzën e të qenit kapoja i grupit.

Pas arrestimit të trafikantit, i cili tani rrezikon 18 vjet burg, në Shqipëri nisi një hetim i gjatë për Tahirin. I akuzuar nga Prokuroria për Krime të Rënda e Tiranë për mbulim të biznesit të Habilajve në shkëmbim të përfitimeve personale.

Por nëse në Shqipëria çështja mbetet e hapur me tre oficerë policie në arrati, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Catanian, ku ish-ministri ishte përfshirë në listën e të hetuarve më 27 tetor 2017, por prokuroria kërkoi arkivimin më 15 mars të këtij viti.

Më 5 tetor u firmos nga gjyqtarja Loredana Pezzino. Tri ditë para se të përfundonte nën lupën e hetuesve italianë, Tahiri nxori një dokument me autenticitet të dyshimtë me të cilin tregonte se nuk kishte hetime për të në Catania.

Më të vonshme janë deklaratat e bëra nga Nazer Seiti. I vetmi nga të hetuarit që u arrestua në Shqipëri për t’u ekstraduar më pas në Itali. Ai akuzohet si financieri i grupit dhe për të qarkulloi edhe lajmi fals për gjasme bashkëpunim me drejtësinë.

Në proces-verbalin e dëshmisë së tij, Seiti tregon si transportoheshin paratë e drogës nga Italia në Shqipëri. ‘I fshihnim në kuti detergjentësh dhe pastaj i çonim me traget’. I hetuari megjithatë e përjashton përdorimin e Audi A8 që ka qenë pronë e Tahirit. Makina përfundoi në qendër të një skandali sepse efektivisht iu shit nga Tahiri, me sa duket në të zezë, vëllezërve Habilaj.

Një kapitull më vete, që del nga dëshmitë, është ai i lidhur me një seri fotografish që iu tregohen të hetuarve, me kërkesën për t’iu vënë një emër e mbiemër personave në to. Midis atyre që janë identifikuar janë edhe disa persona të papërfshirë në këtë hetim, por që duhet të kenë pasur rol në trafikun e drogës, në veçanti në provincat e Siracusës e Ragusës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Meridionews.it (Marrë nga Syri.net)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *