Vendosni fjalën kyçe....

Rama në 35-vjetorin e PS: Shqipëria në pozitën më të mirë historike, protestat po deformohen nga interesa të tjera



Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar 35-vjetorin e Partisë Socialiste si një moment reflektimi dhe angazhimi për të ardhmen e vendit, duke theksuar se Shqipëria ndodhet, sipas tij, në pozitën më të mirë historike.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se përparimi i vendit në fusha të ndryshme është rezultat i politikave dhe reformave të ndërmarra nga qeverisja e Partisë Socialiste, ndërsa shtoi se Shqipëria ka ende nevojë për zhvillim të mëtejshëm, i cili mund të arrihet vetëm përmes vazhdimit të kësaj force politike.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te protestat e ditëve të fundit, të cilat përkojnë me përvjetorin e PS-së. Ai u shpreh se ato kanë nisur pas një ngjarjeje të cilën e cilësoi si “akt skandaloz”, ndërsa më pas, sipas tij, janë shndërruar në një terren ku përplasen interesa më të gjera.

Rama theksoi se protesta është pjesë e demokracisë, por paralajmëroi se duhet bërë dallimi mes kritikës dhe, siç u shpreh ai, formave të presionit dhe denigrimit publik. Sipas tij, vendi nuk duhet të paralizohet nga frika ndaj projekteve dhe investimeve të mëdha.

Ai shtoi se Shqipëria po ecën drejt integrimit europian dhe se vendi ndodhet më afër se kurrë përmbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.