Vendosni fjalën kyçe....

“Protestuesit po trajtohen në mënyrë çnjerëzore në burg, prioritet lirimi i tyre” – Berisha


Gjatë foltores së sotme opozitës, kreu i Partisë Demokratike u ndal te rasti i 11 protestuesve të arrestuar nga policia pas protestës së 17 prillit.

Në fjalën e tij, Berisha pretendoi se ata po përballen me trajtim çnjerëzor në burg dhe se mbajtja e tyre në paraburgim është e pajustifikuar, duke theksuar se një nga prioritetet kryesore të opozitës mbetet lirimi i menjëhershëm i tyre.

Ai deklaroi: “Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë.”

Berisha i cilësoi ata si simbol rezistence, duke shtuar: “Ata janë ndërgjegja jonë, janë frymëzimi ynë. Lirimi i tyre urgjent nga burgu është beteja jonë”.

Në vijim të deklaratës, ai shprehu mirënjohje për qytetarët që morën pjesë në protestë, duke u shprehur: “Një mirënjohje të pakufishme le t’u shprehim ne atyre dhjetëra e mijëra qytetarëve që me uraganin e fuqishëm të lirisë, dridhen themelet e regjimit të organizatës kriminale të Edi Ramës të premten që shkoi, dhe shndërruan zërin e shqiptarëve guximtarë në jehonën më të fuqishme botërore.”

Ai falënderoi gjithashtu edhe mediat për pasqyrimin e protestës: “Mirënjohje të madhe medieve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme të kauzës tonë, pasqyrimin fantastik të kryengritjes tonë paqësore.”

Duke u rikthyer te protestuesit e arrestuar, ai theksoi sërish: “Sonte unë kam një mirënjohje dhe përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë.”

Në fund, Berisha përmendi edhe emra të tjerë protestuesish, duke i përshëndetur për qëndresën e tyre: “Një përshëndetje të përzemërt edhe për guximtarët e pamposhtur Ikball Domi, Gentian Tuga, Ernest Kapo, Preng Lala, Edison Shyti, Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari,etj, të cilët u torturuan në komisariate nga banditë me uniformë, por qëndruan të pamposhtur.”