Nga Dorian Sadiku – (President i Unionit të Biznesit Farmaceutik)
Është e vështirë të flasësh për sektorin farmaceutik sot pa pasur ndjesinë se po përsërit të njëjtat gjëra.
Prej vitesh diskutojmë të njëjtat problematika, ngremë të njëjtat shqetësime dhe propozojmë të njëjtat zgjidhje. Dhe megjithatë, ndryshimi mbetet i ngadaltë, në disa raste pothuajse i padukshëm.
Por këtë herë, reflektimi nuk vjen vetëm nga brenda sektorit. Vjen edhe nga një moment më i gjerë.
Samiti i Diasporës, për shembull, ishte një kujtesë e fortë e një realiteti që të gjithë e dimë, por rrallë e artikulojmë siç duhet: diaspora jonë rritet çdo vit, ndërsa ne vazhdojmë ta shohim nga larg, pa arritur t’i ofrojmë një sistem ku ajo të mund të kthehet dhe të kontribuojë realisht.
Ishte e pamundur të mos më godiste nostalgjia kur pashë në panel Egesta Lopçin – dikur shoqe gjimnazi, sot mjeke dhe studiuese e mjekësisë bërthamore, me qindra artikuj shkencorë dhe një nivel dijeje që sot derdhet diku tjetër.
Mendimi që më erdhi natyrshëm ishte i thjeshtë: çfarë do të bënte ajo nëse do të kthehej në Shqipëri? Dhe përgjigjja ishte po aq e thjeshtë: asgjë. Jo për mungesë vullneti apo aftësie, por sepse ne ende nuk kemi ndërtuar një sistem me themele të forta mbi të cilin mund të ndërtohet.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që janë kthyer. Ka përpjekje reale, ka vullnet, por shpesh përfundon në përpjekje për të arnuar një sistem, jo për ta ndërtuar atë.
Në këtë kontekst, sektori farmaceutik është një pasqyrë shumë e qartë e këtij realiteti. Pas kaq vitesh, ne vazhdojmë të përballemi me të njëjtat probleme bazike.
Afatet kohore mbeten një mister. Nuk dihet kur miratohen çmimet, kur indeksohet lista, kur publikohet ajo e reja. Vendimet vijnë në momentin e fundit, duke krijuar kaos te pacientët, në treg dhe duke shkaktuar humbje për farmacitë dhe bizneset farmaceutike.
Metodologjia e listës së rimbursimit është një tjetër shembull i mungesës së evolucionit. Në një kohë kur industria farmaceutike dhe sistemet shëndetësore po ndryshojnë me ritme të shpejta në gjithë botën, ne vazhdojmë të operojmë pothuajse njësoj prej dy dekadash. Ndryshon komisioni çdo vit, por jo mënyra si funksionon sistemi.
Edhe imazhi i sektorit ka kaluar momente të vështira. Protestat e fundit treguan një solidaritet të rrallë mes farmacistëve, por njëkohësisht nxorën në pah edhe një problem serioz: tendencën për të futur të gjithë në një thes. Në një treg ku ka subjekte të audituara dhe korrekte, përgjithësimi është i padrejtë dhe dëmton besimin.
Në të njëjtën kohë, vazhdojmë të kemi kontrata që negociohen çdo vit, në një kohë kur teknologjia tashmë e bën të mundur monitorimin në kohë reale të çdo aktiviteti. Implementimi i plotë i recetës elektronike do ta bënte tregun edhe më transparent, por ne ende nuk e kemi shfrytëzuar këtë potencial.
Edhe çmimet e barnave dhe disponueshmëria e tyre mbeten problem. Janë bërë disa ndryshime, por ato nuk mjaftojnë. Në shumë raste, politika e çmimeve nuk përputhet me realitetin e tregut, duke ndikuar drejtpërdrejt në atë që qytetari gjen – ose nuk gjen – në farmaci.
Të gjitha këto çojnë në një pyetje të vetme: kur do të shohim ndryshime reale dhe të qëndrueshme?
Kjo pyetje bëhet edhe më urgjente në kontekstin e integrimit europian. Ky proces nuk është thjesht një objektiv politik. Është një transformim i thellë i mënyrës si funksionon sistemi, si rregullohet tregu dhe si mbrohet qytetari.
Për sektorin farmaceutik, kjo do të thotë standarde më të larta, transparencë më të madhe dhe përgjegjësi më të qarta. Do të thotë që pacienti shqiptar duhet të ketë të njëjtin nivel sigurie dhe aksesesh si çdo qytetar europian.
Por me ritmin aktual, jemi ende larg këtij realiteti. Dhe kjo nuk është për të krijuar pesimizëm, por për të qenë realistë: pa një ndryshim të qartë në qasje, rrezikojmë të hyjmë në këtë proces të papërgatitur.
Momenti është i rëndësishëm, sepse po punohet për afrimin me legjislacionin europian. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur. Por për ta shfrytëzuar, kërkohet përfshirje reale e të gjithë aktorëve – institucioneve, biznesit dhe profesionistëve.
Duhet një dialog i vërtetë. Jo formal, jo sporadik, por i vazhdueshëm. Një dialog ku problemet nuk relativizohen, por adresohen. Ku zgjidhjet nuk shtyhen, por ndërtohen.
Sepse pa vullnet politik, çdo reformë mbetet në letër. Dhe pa përfshirjen e tregut, çdo reformë rrezikon të mos funksionojë në praktikë.
Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia e vetë sektorit. Integrimi nuk është diçka që na ndodh nga jashtë. Është diçka që ndërtohet nga brenda – në mënyrën si operojmë, si respektojmë rregullat dhe si ndërtojmë besimin.
Në këtë pikë, bashkëpunimi midis Unionit të Biznesit Farmaceutik dhe Urdhrit të Farmacistëve bëhet thelbësor. Vetëm përmes një bashkëpunimi real mund të balancohet interesi tregtar me etikën profesionale dhe të garantohet mbrojtja e shëndetit publik.
Një hap konkret do të ishte krijimi i një tryeze teknike të përbashkët me institucionet, për të diskutuar çështjet kryesore të sektorit – nga kontratat te legjislacioni dhe funksionimi i sistemit.
Në fund, zgjedhja është e thjeshtë: ose ndërtojmë një partneritet real për të çuar sektorin drejt standardeve europiane, ose vazhdojmë të mbetemi në vend, duke e lënë pacientin të paguajë koston e vonesave tona.
Sektori farmaceutik ka kapacitetin për ta përballuar këtë sfidë. Ka njerëzit, përvojën dhe dijen. Ajo që mungon është kthimi i këtyre kapaciteteve në veprim të përbashkët dhe të qëndrueshëm.

