
Kryeministri britanik Keir Starmer është përballur me presion të ri për dorëheqje, pavarësisht se një zyrtar i lartë u shkarkua pas zbulimit se ish-ambasadori i Britanisë në SHBA nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë, por megjithatë ishte emëruar në detyrë.
Starmer, i cili fitoi një shumicë të madhe për Partinë Laburiste në zgjedhjet e vitit 2024, po përballet me pikëpyetje mbi gjykimin dhe aftësinë e tij për të qeverisur, vetëm pak javë para zgjedhjeve lokale në Angli dhe votimeve rajonale në Skoci e Uells.
Pas dorëheqjes së Peter Mandelson si ambasador në SHBA, për shkak të lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein, situata u përshkallëzua më tej kur doli në dritë se ai nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë një fakt që, sipas ekipit të Starmer, nuk i ishte bërë i ditur kryeministrit, shkruan Reuters.
Kundërshtarët politikë e kanë akuzuar Starmer për mashtrim të Parlamentit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tij. Ndërkohë, ministri Darren Jones deklaroi se kryeministri ishte i zemëruar që nuk ishte informuar për këtë çështje, duke pranuar se sistemi kishte “minuar qeverinë”.
Për të frenuar krizën, Downing Street shkarkoi zyrtarin e lartë të Ministrisë së Jashtme, Olly Robbins. Megjithatë, mbrojtja se Starmer nuk kishte dijeni për detaje kyçe ka ngritur dyshime mbi funksionimin e qeverisë dhe kontrollin e tij mbi situatën.
Brenda Partisë Laburiste ka zëra kritikë, ndërsa disa kërkojnë edhe dorëheqjen e David Lammy. Megjithatë, figura të tjera si George Foulkes bëjnë thirrje për maturi, duke theksuar se, pavarësisht gabimeve, çështja nuk duhet të errësojë problematikat më të mëdha me të cilat përballet vendi.