
Australia njoftoi të hënën se një grua do të drejtojë ushtrinë e saj për herë të parë në histori, si pjesë e një riorganizimi të drejtimit të forcave të mbrojtjes së vendit.
Gjeneral-lejtnante Susan Coyle, aktualisht shefe e kapaciteteve të përbashkëta, do të bëhet shefe e ushtrisë në korrik, thuhet në një deklaratë të qeverisë. Ajo do të zëvendësojë gjeneral-lejtnantin Simon Stuart.
Emërimi i Coyle vjen në një kohë kur ushtria australiane po përpiqet të rrisë numrin e oficereve gra në radhët e saj. Ajo përballet me një valë akuzash për ngacmim seksual sistematik dhe diskriminim.
“Nga korriku, do të kemi për herë të parë një grua në postin e shefes së ushtrisë në historinë 125-vjeçare të Ushtrisë Australiane,” tha kryeministri Anthony Albanese në një deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e quajti emërimin e Coyle një “moment thellësisht historik”.
“Siç më tha Susan, nuk mund të bëhesh ajo që nuk mund ta shohësh,” tha ai.

“Arritja e Susan do të jetë shumë e rëndësishme për gratë që shërbejnë sot në Forcat e Mbrojtjes së Australisë dhe për ato që po mendojnë të shërbejnë në të ardhmen.”
Coyle, 55 vjeç, iu bashkua ushtrisë në vitin 1987 dhe ka mbajtur një sërë rolesh të larta drejtuese. Ajo do të jetë gruaja e parë që do të drejtojë ndonjë degë të forcave të armatosura, tha Marles.
Aktualisht, gratë përbëjnë rreth 21% të Forcave të Mbrojtjes së Australisë (ADF) dhe 18.5% të roleve të larta drejtuese. ADF ka vendosur si objektiv që pjesëmarrja e përgjithshme e grave të arrijë në 25% deri në vitin 2030.
Tetorin e kaluar, u paraqit një padi kolektive kundër ADF-së, duke pretenduar se ajo kishte dështuar të mbronte mijëra oficere gra nga sulmet seksuale sistematike, ngacmimi dhe diskriminimi.
Qeveria të hënën emëroi gjithashtu zëvendësadmiralin Mark Hammond, aktualisht shef i marinës, si drejtues të ADF-së, duke pasuar admiralin David Johnston.
Zëvendësshefi aktual i marinës, kundëramirali Matthew Buckley, do të zëvendësojë Hammond në krye të kësaj dege, shkruan Reuters.